Rrafshi i Dukagjinit
Rrafshi i Dukagjinit përbën pjesën e rrafshët të regjionit Perëndimor të Kosovës, i cili shtrihet prej veriut te Mokna dhe Mali i Thatë e deri në jug te mali Sharr, në perëndim kufirin e përbëjnë Alpet Lindore Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna), ndërsa kufirin lindor bregoret e Llapushës.
Përmbledhje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shtrihet në një gjatësi prej 70 km dhe gjerësi 43 km. Rrafshi përbëhet prej shtresave të liqenit dhe aluvianeve përgjatë luginave lumore, anët janë prej materialit të sjellë nga malet me lumenj dhe përrenj, andaj kjo pjesë është dukshëm më e ngritur sesa pjesa lindore, e cila është dukshëm më e ulët përgjatë luginës së Drinit.
Rrafshi i Dukagjinit është i prerë me disa lugina lumore, me rrafshe të gjera aluviale, terrace lumore dhe rrafshet liqenore mes luginave. Rrafshi i Dukagjinit dallohet me klimë më të butë, e cila diktohet nga masat ujore të Adriatikut, e të cilat depërtojnë nëpër luginën e Drinit. Peizazhi i Rrafshit të Dukagjinit veçohet me kultura të ndryshme bujqësore grurë, misër, pemë, perime, vreshta, livadhe, ndërsa në rrafshet liqenore hasen kullotat dhe pyjet e dushkut.
Në përbërjen e rrafshit te Dukagjinit bëjnë pjesë 9 njësi komunale (Peja, Burimi, Deçani, Klina, Gjakova, Rahoveci, Prizreni, Theranda) me një popullsi prej 900,331 banorësh (2014) Rrafshi i Dukagjinit përfshin 40% të territorit dhe të popullsisë së Kosovës.