[go: up one dir, main page]

Jump to content

Sinkiang

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Rajoni Autonom Ujgur Sinkiang
Ujgurisht شىنجاڭ ئۇيغۇر ئاپتونوم رايونى‎ (Shinjang Uyghur Aptonom Rayoni)
Kinezisht: 新疆维吾尔自治区 (Xīnjiāng Wéiwú'ěr Zìzhìqū)
Location of Rajoni Autonom Ujgur Sinkiang
Popullsia
 • Gjithsej25.230.000
Faqja zyrtarewww.xinjiang.gov.cn

Sinkiang (Ujgurisht: شىنجاڭ; Kinezçe: 新疆; pinyin: Xīnjiāng) zyrtarisht Rajoni Autonom Ujgur Sinkiang, është një rajon autonom i Kinës e cila ndodhet në pjesën veri-perëndimore të vendit afër Azisë Qendrore. Sipërfaqja e tij është mbi 1,66 milion kilometra katrore dhe ka afro 25 milion banorë. Sinkiangu kufizohet me Mongolinë, Federatën e Rusisë, Kazakistanin, Kirgizistanin, Taxhikistanin, Afganistanin, Pakistanin dhe Indinë. Ajo gjithashtu kufizohet me Rajonin Autonom të Tibetit dhe provincat e Gansu dhe Qinghai. Rruga më e njohur historike, Rruga e Mëndafshit, përshkonte territorin nga lindja në kufirin e saj veriperëndimor.

Mjedisi gjeografik i Sinkiangut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sinkiangu ndodhet në pjesën qendrore të Azisë, ku radhiten nga veriu deri në jug Malet Artaj, Tianshan dhe Kunlunshan dhe në mes të maleve ndodhet ultësira Xungër dhe ultësira Tarim. Pjesën në jug të malit Tianshan njerëzit e quajnë zakonisht “Sinkiang jugor”, kurse pjesën në veri të malit Tianshan “Sinkiang verior” dhe ultësirat Hami dhe Turufan i quajnë “Sinaking lindor”. Qytetet e lokalitetet e Sinkiangut ndodhen të gjitha në vende me gjelbërime. Këto vende me gjelbërime shpërndahen në brinjët e dy ultësirave të mëdha, sikur janë margaritarë.

Në Sinkiang ndodhet lumi më i madh kontinental në Kinë – lumi Tarim, liqeni më i madh kontinental me ujë të ëmbël në Kinë – liqeni Bostën dhe ultësira me nivelin më të ulët të detit në Kinë – ultësira Turufan. Sinkiangu i përket rajonit tipik me thatësirë, diferenca klimaterike nga e ftohta deri në të ngrohtë është shumë e madhe, zona Altaj ka shënime të temperaturës më të ulët në Kinë, kurse zona Turfan ruan gjithmonë rekordin e temperaturës më të lartë në Kinë.

Sinkiangu ka dy të tretat e sipërfaqes së përgjithshme të shkretëtirave të Kinës, ndër to sipërfaqja e shkretëtirës Taklamagan është 330 mijë kilometra katrore dhe është shkretëtira më e madhe në Kinë dhe është gjithashtu shkretëtira e dytë e madhe e lëvizshme në botë. Shkretëtira Kurbantongut e ultësirës Zungër ka një sipërfaqe prej 48 mijë kilometrash katrore dhe është shkretëtira e dytë në Kinë. Në shkretëtirat e Sinkiangut ka rezerva të pasura të naftës, gazit natyror dhe të mineralëve.

Në Sinkiang malet e shumta, të mbuluara gjithmonë me dëborë dhe majat e akullta të maleve kanë formuar akullnaja kolosale me karakteristika të veta, që shërbejnë si “rezervuari i ngurtë” natyror. Sasia mesatare e burimeve ujore për frymë në Sinkiang radhitet në vendet e para të Kinës.

Zhvillimet historike në Sinkiang

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qysh para mbi 2 mijë vjetëve, Sinkiangu ka qenë një pjesë e shtetit shumëkombësh të bashkuar të Kinës. Në vitin 60 para erës së re, dinastia Han vendosi një administratë për mbrojtjen e territorit perëndimor, në atë kohë Sinkiangu administrohej direkt nga pushteti i dinastisë Han perëndimore, sfera e tij përfshinte liqenin e tanishëm Barkash dhe rajonin e tanishëm të Pamirit. Gjatë mbi një mijë vjetëve të mëvonshëm, rajoni i Sinkiangut ka ruajtur gjithmonë marrëdhëniet e vartësisë me qeverinë qendrore të Kinës, e cila vendosi organin administrativ për t’i drejtuar çështjet vendore të Sinkiangut.

Në dinastinë Qing, para mbi 300 vjetëve, qeveria qendrore vendosi në qytetin Huiyuan të Yilit të Sinkiangut gjeneralin Yili për sundimin e gjithë territorit të Sinkiangut. Në vitin 1884 Sinkiangu u bë provincë, duke ngushtuar më tej lidhjet midis tij dhe provincave të tjera të Kinës.

Në shtator të vitit 1949 Sinakingu u shpall i çliruar në mënyrë paqësore. Më 1 tetor të vitit 1949 u shpall Republika Popullore e Kinës dhe Sinkiangu si provinca të tjera të Kinës u bë një rajon administrativ provincial me të drejtat autonome nacionale.

Sinkiangu - bazë energjetike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sinkiangu ka vendburime shumë të pasura. Rezervat e zbuluara të qymyrgurit dhe të naftës përbëjnë përkatësisht një të tretën e rezervave të përgjithshme të Kinës, edhe rezervat e gazit natyror janë shumë të pasura, pra Sinkiangu është bërë fusha naftëmbajtëse më e madhe dhe një zonë rezervë e kërkimeve të naftës më me perspektivë në Kinën veri-perëndimore. Sipas llogaritjeve, fusha gaz-naftëmbajtëse e Sinkiangut me sipërfaqe të përgjithshme prej 740 mijë kilometrash katrore rezervon 20,8 miliardë tonë naftë dhe mbi 10 trilionë metra kub gaz natyror, shifra këto që përbëjnë afro 30 % të rezervave të përgjithshme të naftës e të gazit në kontinentin tokësor të Kinës, pra quhet nga specialistët kinezë e të huaj si “deti i shpresës” i industrisë së naftës të Kinës. Me objektin e “gazsjellësit nga perëndimi në lindje” do të sillet gazi natyror i pasur i Sinkiangut në Shangai dhe në zonat përreth të Kinës lindore.

Rezervat e përgjithshme të qymyrgurit të Sinkiangut janë rreth mbi 20 mijë tonë, që përbëjnë rreth 40 % të rezervave të përgjithshme të Kinës, duke zërë vendin e parë në Kinë. Centrali elektrik eksperimental me energjinë e erës në Daban të Sinkiangut është më i madh në Kinë i këtij lloji.

Ekonomia e Sinkiangut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Industria e Sinkaingut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tani industria e Sinkiangut po zhvillohet me shpejtësi, është formuar një sistem industrial me degë relativisht të plota, si të metalurgjisë, të qymyrgurit, të naftës, të makinerive, të kimisë, të materialeve të ndërtimit, të tekstileve, të përpunimit të sheqerit, të prodhimit të letrës, të përpunimit të lëkurës, të cigareve etj. Duke shfrytëzuar epërsinë e burimeve rajonale, janë zhvilluar kontingjente produktesh kryesore dhe të rëndësishme me karakteristika të Sinkiangut. Sinkiangu tashmë disponon mbi 60 mijë ndërmarrje të ndryshme industriale me mbi 2 mijë lloje produktesh, duke përfshirë ato të naftës, të qymyrgurit, të metalurgjisë, të energjisë elektrike, të tekstileve, të petro-kimisë, të makinerive, të materialeve të ndërtimit, të ushqimeve etj. Objektet kryesore industriale të Sinkiangut janë: objekti i etilenit në Dusanzi, objekti i polisterit Shëhua, objekti i plehrave kimike numër dy Wushëhua, veprat e fazës së parë dhe të dytë të Centralit elektrik Manas, Hidrocentrali elektrik Jindashankou, objekti i fazës së katërt i zgjerimit të Centralit elektrik Hongyanchi, Cetrali elektrik eksperimental me energjinë e erës Daban.

Bujqësia e Sinkiangut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sinkiangu ka rreze të plota diellore dhe burime të pasura tokësore, banorët vendasë kanë krijuar bujqësinë e famshme të hauzës së gjelbër, duke shfrytëzuar viset me burime të pasura ujore. Kulturat kryesore bujqësore të Sinkiangut janë grur, misër dhe oriz. Kulturat ekonomike janë pambuk, panxharsheqeri, kulpër e butë etj. Ndër to prodhimi i pambukut zë një pozitë të rëndësishme në Kinë, sepse Sinkiangu është baza më e madhe e prodhimit të pambukut me fibra të gjata në Kinë, prodhimi i tij përbën mbi 95% të prodhimit të përgjithshëm të pambukut me fibra të gjata në Kinë dhe cilësia e tij mund të krahasohet me pambukun me fibra të gjata të Egjiptit.

Sinkiangu quhet “vendlindja e frutave” me sipërfaqe relativisht të madhe të mbjelljes së frutave dhe me llojshmëri e cilësi relativisht të mirë të tyre. Frutat kryesore të Sinkiangut janë rrush, pjepër Hami, sharqi, mollë, dardha aromatike, kajsi, pjeshkë, shegë, qershi, fiq, arrë, etj. Sinkiang ka pothuajse të gjitha frutat subtropikale, ndër to rrushi i Turfanit, pjepra Hami etj. me shijë të veçantë dhe shumë të ëmbla.

Vitet e fundit bujqësia e Sinkiangut po zhvillohet gradualisht drejt industrializimit dhe janë formuar në mënyrë fillestare hallkat e prodhimeve me përpjesëtime të konsiderueshme me lëndë të para si domate, panxharsheqeri, rrotë, lule të kuqe, pipër, rrush, pambuk me ngjyrë etj.

Blegtoria e Sinkiangut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sinkiangu ka shumë lloje bagëtish dhe është një nga zonat kryesore blegtorale të Kinës. Qysh nga lashtësia ai ka qenë zona e famshme e rritjes së kuajve të racave të mira. Bagëtia shtëpiake është kryesisht dele, pastaj ka edhe kalë, lopë, dhi, gomar, mushkë, deve, jak etj. Sasia e mishit të deles në Sinkiang zë vendin e dytë në Kinë dhe numri i krerëve të bagëtive është mbi 40 milionë.

Sipërfaqja e përgjithshme e stepës natyrore në Sinkiang është 570 mijë kilometra katrore, dukë zënë 87% të sipërfaqes së përgjithshme të tokave bujqësore, pyjore dhe blegtorale. Burimet e stepës natyrore të Sinkiangut janë materialet e prodhimit më themelore dhe më kryesore të zhvillimit të blegtorisë së tij. Stepat natyrore përmbajnë 70% të bagëtive dhe të produkteve të tyre të mbarë Sinkiangut.

Sinkiangu është baza e rritjes së bagëtive të reja të Kinës, si dele me lesh të imët të Sinkiangut, dele e vogël për lëkurë të Sinkiangut, ka me ngjyrë kafe të Sinkiangut, kalë Yili, derr i bardhë Yili, derr i zi i Sinkiangut etj. Këto lloje të reja bagëtish,të rritura nga vetë Kina, kanë karakteristika të tyre biologjike dhe vlerë relativisht të lartë ekonomike, janë burime të çmuara dhe thesari i rëndësishëm i gjeneve të bagëtive të Kinës.

Prodhimet karakteristike të Sinkiangut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prodhimet karakteristike të Sinkiangut përfshijnë kryesisht mbi 10 profile, si të prodhimit të pijeve alkoolike, të pijeve, të bulmetit, të prodhimit të sendeve të përdorimit të përditshëm petro-kimik, të parfumit dhe të shijeve me erëza, të përpunimit të gurëve e nefriteve, të përpunimit të sheqerit, të punimeve artizanale etj. Janë formuar në mënyrë fillestare përpjesëtimet e prodhimit të disa degëve kryesore, si të domates, të verës, të pijeve me lëngje frutore, të përpunimit të kulprës së butë, të panxharsheqerit, të gurëve e nefriteve, si dhe të produkteve nacionale etj. Përveç këtyre janë mirëpritur në treg edhe raki me qumësht të freskët, kosi prej qumështit të pelës, si dhe ushqimet e pijet e veçanta me ilaçe ujgurase si lëndë kryesore.

Kombësitë në Sinkiang

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kombësia ujgure është një kombësi e lashtë në Kinën veriore. “Ujgur” është vetëemërimi i kësaj kombësie, që ka kuptim “bashkim” ose “unitet”. Kombësia ujgure, që është kombësia kryesore e Sinkiangut, ka mbi 7 milionë banorë, të shpërndarë në mbarë Sinkiangun dhe pjesa më e madhe e tyre banon në Kash, Hëtian, Aksu etj. në jug të malit Tianshan. Kjo kombësi ka gjuhën dhe shkrimin e vet.

Veshjet tradicionale të kombësisë ujgure janë: si burra e gra, si pleq e fëmijë, vënë në kokë kapelë të bukura katrore. Burrave u pëlqejnë dolloma jashtë, brenda bluzë të qëndisura. Kurse grave u pëlqejnë fustane, edhe jashtë jelek të zi, zbukurime me vathë, byzylyk, unaza, gjerdan etj. Vajzat rijnë me gërsheta. Tani qytetarët vishen zakonisht me kostume dhe veshje të modës.

Banorët ujgurë janë të sjellshëm. Kur takohen me të rriturit ose me miqtë, vënë dorën e djathtë në kraharor dhe i përshëndesin duke u përkulur. Kjo kombësi është shumë mikpritëse.

Banorët ujgurë janë të aftë të këndojnë e të kërcejnë. Vallet e tyre janë të lehta e të bukura, duke u dalluar me rrotullime të shpejta e të ndryshueshme, që pasqyrojnë karakterin e tyre optimist dhe të hapur.

Banorët ujgurë merren kryesisht me bujqësi, njëkohësisht edhe me blegtori. Ata kanë traditë tregtinë, njëkohësisht kanë edhe punime shumë të zhvilluara artizanale me niveli të lartë artistik. Qilimet, qëndismat, pëlhurat mëndafshi, çajnik bronzi, thikë, vegla muzikore etj. të përpunuara prej tyre dallohen me karakteristika të theksuara nacionale.

Në Sinkiang ka një milion e 200 mijë banorë të kombësisë kazake, të cilët janë përqëndruar kryesisht në qarkun autonom Yili të kombësisë kazake në veri të Sinkiangut. Kombësia kazake ka gjuhën dhe shrimin e saj.

Në zonat blegtorale burrat kazakë vishen në dimër me pallto prej gëzofi të deles, të dhelprës, të ujkut etj., kurse pantallonat e tyre janë prej lëkurës së kaut. Grave kazake u pëlqejnë fustanet e kuqe ose me ngjyra të tjera. Në dimër ato jashtë vishen edhe me pallto pambuku, ose pallto prej lëkurës së deles së vogël, të dhelprës ose të ujkut. Vajzat kanë zakon të vishen me këmishë të qëndisura, në kapële vënë puplat e bufit.

Banorët kazakë janë shumë mikpritës. I gostisin mysafirët zakonisht me ushqimet më të mira të shtëpisë, dhe therrin dele për ta. Zoti i shtëpisë e nderon mysafirin me kokën e deles dhe mysafiri e merr një copë mish prej kokës së deles dhe pastaj i merr veshët e deles për të miturit e zotit të shtëpisë, dhe pastaj ia kthen kokën e deles zotit të shtëpisë.

Burrat e gratë kazakë janë mjeshtra të kalërimit. Të rinjve u pëlqejnë garat e mundjes dhe kapja e deles mbi kalë. Në kohën e festave blegtorët organizojnë shfaqje për garën e kuajve. “Ndjekja për vajzat” mbi kuaj është një lojë më e preferuar nga të rinjtë e të rejat kazake, sepse kjo shërben si një rast i mirë për të kërkuar të dashuren dhe të dashurin e tyre.

Kombësia kërkëze

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kombësia kërkëze ka mbi 150 mijë banorë dhe ka gjuhën dhe shkrimin e vet. Kombësia kërkëze banon kryesisht në qarkun autonom Këzlësu të kombësisë kërkëze në rafshnaltën Pamir të Sinkiangut perëndimor dhe është një kombësi blegtorale. Në stinën veriore banorët kërkëzë banojnë kryesisht afër rrjedhave të lumenjve në fushë, kurse në dimër kalojnë në lugina drejt diellit. Banorët kërkëzë që nuk lëvizin sipas klimave, kanë banesa fikse njëkatëshe me çatinë e sheshtë në formë katrore, që kanë dritare qiellore, rreth të cilave mbillen zarzavate e fruta. Ushqimet e banorëve kërkëzë janë të pasura. Bulmetrat janë gjalpë, dhjath etj.

Veshjet tradicionale të banorëve kërkëzë janë shumë të rregullta. Burrave u pëlqen kapela qeleshi, femrat kanë qejf të vishen me këmishë të mbërthyer në gjoks me kopsa prej argjendi. Vajzat e pamartuara thurin shumë gërsheta dhe pas martesës thurrin vetëm dy gërsheta.

Burimet turistike në Sinkiang

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Liqeni Knas ndodhet në territorin e distriktit Burjin në veri të Sinkiangut, 150 kilometra larg kryeqendrës së distriktit. Ai është një liqen në mes të pyjeve të dëndur të malit Altaj. “Knas” do të thotë në gjuhën mongole “liqeni në luginë”. Niveli i ujit të këtij liqeni është 1374 metra mbi nivelin e detit, thellësia më e madhe e tij është 188,5 metra dhe sipërfaqja e tij është 45,73 kilometra katrore. Liqeni Knas rrethohet në të katër anët nga malet e larta me dëborë, pamja e tij është e mrekullueshme. Ai është e vetmja zonë e shpërndarjes së bimëve e kafshëve të degës së Rajonit të Siberisë Jugore në Kinë, ku rriten shumë drurë të rrallë, si larsh, pishë koreane, bredh, borigë dhe shumë pyje me mështekën. Numri i llojeve të pemëve të zbuluara është afro 800, numri i kafshëve 39, llojet e zogjve 117, numri i llojeve të kafshëve zvarritëse amfib 4, numri i llojeve të peshqve 7 dhe ai i insekteve kaloi 300. Shumë lloje të shtazave janë të rralla e të çmueshme si në Sinkiang ashtu edhe në mbarë Kinën. Në këtë zonë përzihen pyje e stepa, liqene e lumenj të shumtë, panorama natyrore e kësaj zone është e çuditshme e mrekullueshme, pra ka vlera shumë të larta turistike, të mbrojtjes së natyrës dhe të hulumtimeve shkencore, historike e kulturore.

Qyteti i lashtë Loulan që ndodhej dikur në kepin veri-perëndimor të Luobupos në jug të Sinkiangut, ka qenë gryka e rrugës së famshme të mëndafshit. Sot ai është rrethuar nga shkretëtira, gjeomorfologjia Yadan dhe nga kore e fortë prej kripe, mjedisi është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i djerë, njerëzit vijnë shumë rrallë këtu.

Sipas të dhënave historike, në shekullin e dytë para erës së re Loulan kishte qenë një nga zonat më të lulëzuara në pjesën perëndimore të Kinës. Por të çudit fakti se mbretëria e famshme Loulan ishte zhdukur pas 500-600 vjetëve të lulëzimit të tij. Si u zhduk qyteti i lashtë Loulan ? Ky ka qenë dhe është gjithmonë problemi i interesit të arkeologëve dhe shkencëtarëve kinezë e të huaj. Pra Loulani ka qenë dhe është një nga viset misterioze dhe ëndrra e aventuristëve kinezë e të huaj.

Nga zbulimet arkeologjike të deritanishme del se qyteti i lashtë Loulan u përmbyt në shkretëtirën e madhe nga shkaqet e ndërlikuara natyrore dhe artificiale, që shkaktuan ndryshimin e kanalit të lumit dhe sulmet e erës me rërë. Janë sqaruar se qyteti i lashtë Loula kishte qenë 120 mijë metra katrore me muret e qytetit, të ndërtuara me dhe, kallame të kënetës dhe me degë pemësh.

Një kanal i lashtë i lumit nga veri-perëndimi deri në jug-lindje e përshkonte gjithë qytetin. Tani janë zbuluar kulla budiste dhe ndërtesa përreth saj, qyteti i lashtë dhe kulla e lashtë e zjarrit në kalanë përreth qytetit, hambarë, varreza të lashta etj. Në varreza të lashta u zbulua edhe kufomë e thatë para 3800 vjetëve – “bukuroshe Loulan”. Në qytetin e lahstë Loulan janë ruajtur edhe copërat e porcelanit, të leshit, monedha të lashta prej bronzi, armë të lashta, copërat e mëndafshit dhe shumë monumente kulturore.

Guva me një mijë figura bude

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në rrugën e mëndafshit tëgjatë e të degëzuar në Sinkiang kanë mbetur shumë ndërtime të famshme në botë, si gryka, kala, guvë, stacione të kafshëve, varreza, kulla të zjarrit etj.

Guva Kzir me një mijë figura bude, guva Pazikrik me një mijë figura bude etj. janë shpella të famshme. Skulpturat dhe afresket e tyre kanë stilin e tyre të veçatë artistik, duke shkrirë kulturat e Kinës, Indisë dhe të Persisë dhe kanë pasqyruar në mënyrë të gjallë formën e prodhimit dhe të jetesës së banorëve të kombësive të ndryshme.

“Pazikrik” në gjuhën ujgure do të thotë “mesi i malit”. Kjo guvë ndodhet në veri-lindje të qytetit Turfan. Ajo u hap nga shekulli i 6-të deri në shekullin e 14-të të erës së sonë. Afresket e guvës janë me strukturë serioze të pikturimit, me vijë e ngjyra të bukura e të larmishme, me figura të plota të njerëzve, janë trashëgimi e stilit të pikturave të dinastisë Dang në guvën Mogao. Afresket e guvës janë dëmtuar rëndë, por janë ruajtur ende mbi 1200 metra katrore afreske. Njihet nga të gjitha se kjo guvë është thesari më i rëndësishëm, i ruajtur më së miri dhe më me përfaqësim ndër artet e budizmit të kombësisë së lashtë kineze Huihu, pra ajo shërben si materiale të çmueshme të studimeve historike, kulturore e artistike të Kinës perëndimore.

Në ultësirën e pjesës qendrore të Sinkiangut ka një “vis i zjarrtë”, në Putaogou të tij rritet rrush i kualitetit të lartë, ky vis quhet Turfan. Pozita e veçantë gjeografike e ka bërë Turfanin me rezervë të pasur të ujit nëntokësor, prandaj rriten pjellore frutat, si rrush, sharqi etj. Për shkak se klima është e thatë e me pak rreshje, prandaj përqindja e sheqerit në fruta është shumë e lartë. Shumë vizitorë shkojnë në Turfan duke pasur qëllim të shijojnë fruta të Turfanit.

Turfani është “mbretëria e rrushit”. “Qyteti ndodhet mes rrushit dhe njerëzit jetojnë mes rrushit”. Të gjithë vizitorët në Turfan flasin me interesim të madh për rrushin. Sipas shënimeve në literaturë historike, qysh para mbi 2 mijë vjetëve këtu kishte filluar mbjellja e rrushit.

Duke ecur nëpër rrugë kudo shihen plantacione të rrushit dhe kudo para e pas banesave shihen hardhitë e rrushit. Rrushi i thatë përgatitet në mënyrë të veçantë. Në Turfan kudo ngrihet një lloje ndërtese me dhe, me vrima-vrima, që shërbejnë për tharjen e rrushit në mënyrë natyrore, duke shfrytëzuar ajrin e ngrohtë të Turfanit. Kështu rrushi i thatë është i pëlqyer shumë nga njerëzit, sepse është i ëmbël, i shijshëm dhe me ngjyrë jeshile.

Bashkia e qytetit Turfan ka hapur një rrugë të posaçme të rrushit, ku korridore të gjata, plantacione argëtuese të rrushit, muze të rrushit u shërbejnë vizitorëve në mënyrë të lirshme. Sot vizitorët kur arrijnë në Turfan dhe hyjnë në Putaogou, i sodisin pamjet e bukura të Putaogout dhe i shijojnë sipas qejfit edhe rrushin e llojeve të ndryshme.

Kashi quhet plotësisht “Kashgër” me emrin e bukur “margaritar i rrugës së mëndafshit”, pra ka qenë qytet i famshëm historik e kulturor në Kinë.

Kashi është një nga haozet më të lashta në perëndim të ultësirës Tarim, që quhet “zona në jug të lumit Jance” dhe është një nga bazat e rëndësishme të prodhimit të pambukut në Kinë.

Burimet turistike të Kashit janë shumë të pasura, pamjet natyrore janë tërheqese, turizmi në shkretëtirë, zbulimet aventureske në akulnaja, turizmi në male të larta etj. janë pëlqyera nga turistët e vendeve të ndryshme. Kash ka histori të lashtë dhe ka shumë panorama humanitare, si xhamia e famshme Eitidor, varreza e konkubinës Xianfei (Apakhoga), varreza e Mohamed Kashgërit, kuriozitete të tjera, që kanë demonstruar karakteristikat e kulturës dhe arteve të arkitekturës ujgure.

Kashi me histori, kulturë të pasur dhe me doket e zakonet e larmishme, si dhe me panorama të veçanta humanitare e natyrore, ka karakterin tipik e përfaqësues në gjithë rajonin e Sinkiangut, duke tërhequr shumë turistë kinezë e të huaj. Prandaj njerëzit thonë se “pa vajtur në Kash, nuk do të thotë se e ke vizituar Sikiangun.

Hëtian në lashtësi quhej “Yutian”, që kishte qenë një nga vendet e njohura të lashta me qytetërim të pjesës perëndimore të Kinës. Hëtian ndodhet në pjesën qendrore të kontinentit evro-aziatik dhe në vendin kyç të rrugës së mëndafshit. Këtu banorët e shumë kombësive kanë jetuar dhe shumëzuar, kulturat orientale dhe perëndimore janë përputhur dhe janë shkrirë për një të vetme, prandaj misionerët dhe tregtarët e vendeve të ndryshme “vinin vazhdimisht këtu”.

Hëtiani kufizohet në veri me shkretëtirën e madhe Taklamagan dhe në jug me malin Kunlun. Këtu ka male të mbuluara me dëborë me pamje të bukura, ka edhe stepë e këneta me ngjyra të larmishme, si dhe fushë të gjerë me pyje të dendura. Nefriti, smeraldi, mëndafshi, qilimat dhe frutat e Hëtianit kanë famë të madhe, pra Hëtian quhet edhe “qyteti i nefritit”, “qyteti i mëndafshit” dhe “vendlindja e frutave”.

Fetë në Sinkiang

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tani Sinkiangu është ende një rajon me shumë fe. Islamizmi ka ndikimin më të madh në jetën shoqërore të Sinkiangut. Tani në krahina të ndryshme të Sinkiangut ka mbi 23 mijë xhami islamike dhe terrene të tjera fetare, duke përfshirë lamatempuj, kishë kristiane etj. të cilat kanë plotësuar nevojat e besimtarëve të kombësive të ndryshme. Në Sinkiang organizatat kryesore fetare janë Shoqata e Islamizmit, Instituti i Kurbanit islamizmi dhe Shoqata e Budizmit etj.

Tani në Sinkiang 10 kombësi, si kombësia ujgure, kazake, hui etj. besojnë islamizmin dhe numri i besimtarëve i kalon të 9 milionët, duke zënë 56,3% të popullsisë së përgjithshme të Sinkiangut.

Në Sinkiang pjesa e madhe e banorëve mongolë, afro 80 mijë e besojnë budizmin tibetian dhe ka 40 tempuj budistë. Në Sinkiang ka afrro 30 mijë kristianë dhe 24 kisha kristiane, ka edhe mbi 4 mijë besimtarë katolikë dhe 25 kisha e pika të veprimeve fetare. Përveç këtyre, në Sinkiang mbi njëqind banorë të kombësisë ruse janë ortodoksë dhe ka dy kisha ortodokse.

Në Sinkiang historikisht kanëqenë të përhapura katër besime fetare: budizmi, nestorianizmi, maniçaeizmi dhe islamizmi, në këtë mënyrë Sinkiangu është bërë i vetmi vend në botë, ku janë përhapur katër fe më të mëdha të botës.

Në shekullin e parë të erës së re, budizmi, duke kaluar rrugën e mëndafshit, përhapej drejt lindjes, duke hyrë në krahina të ndryshme të Kinës qendrore. Nestorianizmi që është një sekt i kristianizmit, ka hyrë në Sinkiang në shekullin e 6-të të erës sonë. Nga zbulimet arkeologjike, Sinkiangu ka qenë një vis, ku përhapej shumë nestorianizmi, por ka qenë gjithashtu edhe qendra e kësaj feje. Më vonë, krahas përhapjes së islamizmit , Jingizmi u tërhoq nga skena historike e Sinkiangut. Në vitin 694 kishte hyrë në Kinë maniçaeizmi. Në shekullin e 19-të në guvën Mogao të Dunhuangut dhe në Turfan të Sinkiangut janë zbuluar shumë literatura dhe mesazhe të kësaj feje, gjë që ka vërtetuar se kjo fe ishte përhapur në krahina të ndryshme të Kinës veri-perëndimore dhe kishte një ndikim të madh në popull. Në mesin e shekullit të 10-të islamizmi kishte hyrë në Kash nëpërmjet rrugës së mëndafshit. Në shekullin e 16-të e deri në shekullin e 17-të, kjo fe ishte përhapur në të gjithë Sinkiangun. Në këtë fe besojnë tashmë 10 kombësi nga pakicat kombëtare të Sinkiangut, si kombësia ujgure, kazake, hui, uzbjeke, kërkëze, taxhike, tatare etj.