[go: up one dir, main page]

Jump to content

Shpatajt

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shpatajt kanë qenë një familje fisnike shqiptare e cila u fuqizua pas shembjes së perandorisë së Stefan Dushanit, kur bashkë me fisnikë tjerë shqiptarë shtrinë sundimin në Epir, Akarnani dhe Etoli. Pinjolli i tyre Gjin Bua Shpata sundonte territoret nga gjiri i Korintit deri në lumin Akeront.

Kjo familje fisnike filloi të shquhej kah fundi i shekullit XIII. Një dokument anzhuin i vitit 1304 i rendit në mesin e aristokratëve më në zë të Shqipërisë. Pas shembjes së perandorisë së Stefan Dushanit, Shpatajt dhe fisnikë tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre në tërë Epirin dhe në krahinat fqinje të Akarnanisë dhe Etolisë. Qeveritari serb i Epirit iku në Thesali ndërsa artistokracia e vjetër serb dhe bizantine u strehua në Janinë.[1] Despoti bizantin Niqifori II Angelus u ndesh me forcat shqiptare në Akelou ku ushtria e tij u asgjësua dhe ai vetë humbi jetën. Pas betejës, krahinat jugore të Epirit, Akarnania dhe Etolia u përfshinë në kuadër të dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari me qendër në Artë kishte në krye fisnikun shqiptar Pjetër Losha, kurse i dyti me qendër në Angjelokastër kishte në krye fisnikun e derës Shpataj, Gjin Bua Shpata[2] Simeon Uroshi, duke mos qenë në gjendje të kontrollonte më Epirin të cilin tani e zotëronin shqiptarët, ua njohu zotërimet dhe u dha titullin despot.[3]

Pas vdekjes së Pjetër Loshës, zotërimet e Shpatajve u shtrinë nga Gjiri i Korintit në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront në veri.[4] Në vitet 1375 dhe 1379 bënë përpjekje ta merrnin qytetin e Janinës i cili sundohej nga despoti serb Thoma Preljuboviç "Shqiptarovrasësi", i cili kishte marrë këtë nofkë nga bashkëkohësit për shkak të persekutimit të shqiptarëve. Për shkak të mureve të qytetit nuk ia arritën qëllimit.[5][6]

Pas vdekjes së Gjinit, zotërimet e tij u ndanë midis të afërmve të tij. Muriq Shpata e mënjanoi trashëgimtarin e ligjshëm të Gjinit dhe mori drejtimin e principatës. Marrëdhëniet me osmanët dhe despotin e Janinës, Esaun, u shtensionuan, por Murqi humbi përkrahjen e feudalëve shqiptarë nga Parga, Paramithia, Margëllëçi dhe Janina, të cilëve me anë të dhuratave u prishi mendjen konti i Qefalonisë, Karl Toko. Ky i fundit i rrëmbeu Muriqit zotërimet njërin pas tjetrit me synimin për t'u bërë despot i tërë Epirit. Gjatë një beteje me forcat e Kart Tokos, u vra Sguroi, vëllai i Gjin Bua Shpatës. I biri i Sguros në pamundësi për t'i ruajtur zotërimet, ia ofroi ato Venedikut.[7]

Muriqi vdiq më 1415 duke ia lënë pjesën e mbetur të principatës Jakupit, i cili në vitin 1416 u vra në një pritë të organizuar nga njerëzit e Karl Tokos.[8] Toko hyri në Artë në tetor 1416, kurse pinjollët e Shpatajve ose pranuan t'i nënshtrohen ose emigruan drejt Moresë.[9]

Emri "Shpata", mendohet se rrjedh nga gjuha latine dhe greke "spatha"  që do të thotë "shpatë e gjatë",[10] e cila ka përdorim edhe në shqip për emërtimin e shpatës.[11]

Edhe pse historiani gjerman Karl Hopf ka dhënë një gjenealogji të familjes Shpata, ajo konsiderohet nga studiuesit modern si "në përgjithësi e pasakt".[12]

  1. ^ Xhufi 2002, p. 279
  2. ^ Xhufi 2002, p. 281
  3. ^ Fine 1994, p. 350-351
  4. ^ Xhufi 2002, p. 281
  5. ^ Xhufi 2002, p. 282
  6. ^ Fine 1994, p. 352
  7. ^ Xhufi 2002, p. 283-284
  8. ^ Xhufi 2002, p. 284
  9. ^ Xhufi 2002, p. 284
  10. ^ Aleksić 2007, pp. 9ff.
  11. ^ Hammond 1976, p. 59.
  12. ^ a b Luttrell 1982, p. 122.
  13. ^ Madgearu & Gordon 2008, p. 83: "The despots Gjin Buia Spata and Peter Liosha were recognized by Symeon Uroš in 1359–1360 as rulers in Epirus and Aetolia. Albanian historians consider Gjin (or Ghinu) Buia and Peter Liosha Albanian, but it is sure that at least the Buia family was of Aromanian origin..."
  • Xhufi, Pëllumb (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Toena. ISBN 9992716223.
  • Aleksić, Marko (2007). Mediaeval Swords from Southeastern Europe: Material from 12th to 15th Century (në anglisht). Belgrade: Marko Aleksić. GGKEY:UJ4HA53C8R7.[lidhje e vdekur]
  • Hammond, Nicholas Geoffrey Lemprière (1976). Migrations and Invasions in Greece and Adjacent Areas (në anglisht). Park Ridge, NJ: Noyes Press. ISBN 0-8155-5047-2.
  • Luttrell, Anthony (1982). Latin and Greece: The Hospitallers and the Crusades, 1291–1440 (në anglisht). London: Ashgate Publishing Limited. ISBN 978-0-86078-106-6.
  • Madgearu, Alexandru; Gordon, Martin (2008). The Wars of the Balkan Peninsula: Their Medieval Origins (në anglisht). Lanham, MD: Scarecrow Press. ISBN 978-0-8108-5846-6.
  • Pipa, Arshi (1978). Albanian Folk Verse: Structure and Genre (në anglisht). Munich: Trofenik. ISBN 978-3-87-828119-1.
  • Schirò, Giuseppe (1971–1972). "La genealogia degli Spata tra il XIV e XV sec. E due Bua sconosciuti". Rivista di Studi Bizantini e Neoellenici (në italisht). 28–29: 67–85.