Kuvendi i Junikut
Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik. Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për tu bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar. Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se " kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik". Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.[1]
Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.[2]
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Akademia 2002, p. 470
- ^ Akademia 2002, pp. 470-471