Guillaume Dufay
Guillaume Dufay
(af. 1400 - 1474)
Guillaume Dufay ishte njëri ndër kompozitorët më të dalluar të grupit të kompozitorëve franko-
flaman (në mesin e Josquin Desprez, Orlando di Lasso, Johaness Ockeghem etj.). Dufay e kaloi
pjesën më të madhe të jetës së tij në Itali. Sikurse Guillaume de Machaut, Dufay ishte prift dhe
ndihmoi në etablimin e meshës si një tërësi koherente dhe e unifikuar.
Dufay lindi në Cambrai, një qendër e rëndësishme e muzikës religjioze, dhe karrierën e tij e filloi në
vitin 1409 si korist në katedrale. Në moshë të re shkoi në Itali për të punuar për familjën Malatesta.
Në vitin 1440 ai ishte rikthyer në Cambrai.
Muzika sakrale
Ai e transformoi muzikën polifonike në një gjuhë muzikore më të pastër, më të pasur dhe më
tingëlluese, me harmoni dhe disonanca mirë të studjuara që i japin muzikës një ndiesi të një
progresi para. Në Meshat e tij të mëvonshme, në veprat e tij më të dalluara, ai ka përdorur teknikën
e cantus firmusit, në të cilën materiali muzikor ndërtohet rreth një melodie ekzistuese, zakonisht
rreth një sekcioni nga ndonjë këngë gregoriane. Mesha më e njohur e kësaj kohe është Missa Ecce
Ancilla Domini (Ja shërbëtorja e Zotit), emri i marrur nga kënga gregoriane që përdoret si cantus
firmus. Mesha është e shkruar për katër zëra, por së paku gjysma e Meshës, si një lloj kontrasti,
përdorë vetëm dy zëra në kombinime të ndryshme. Dufay gjithashtu ndihmoi në zhvillimin e
motetit izoritmik. Ndër motetet më të njohura është Nuper Rosarum Flores (Lulet e sapoqelura).
Muzika sekulare / laike
Dufay shkroi shumë këngë laike (apo chansons) që zakonisht merren me një tematikë të njejtë, atë
të dashurisë së njëanshme. Shumica e këngëve janë në formë të rondeaux (rondo), me sekcione të
tekstit dhe muzikës që rishfaqen përgjatë kompozimit, dhe një pjesë e madhe e tyre janë polifonike,
për tre dhe ndonjëherë katër zëra. Edhe pse ai kompozoi këngë përgjatë gjithë karrierës së tij, nuk
mund të dallohet ndonjë ndryshim i dukshëm në stil, në mes të këngëve të hershme dhe atyre të
mëvonshme: të gjitha këngët karakterizohen me një kualitet lirik, me melodi mbamendëse që
shpesh kanë një ngjyrim paksa melankolik.