[go: up one dir, main page]

Jump to content

Albert Doja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Albert Doja është profesor universitar, titullar i antropologjisë në Universitetin e Lilës në Francë prej vitit 2011, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i zgjedhur në vitin 2008 në fushën e antropologjisë, si dhe Anëtar i Këshillit kombëtar të Universiteteve franceze (CNU) në seksionin e antropologjisë prej vitit 2020. Ai ka mbrojtur doktoratën në antropologji sociale në vitin 1993 në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Shkencat Sociale në Paris (EHESS), si dhe akreditimin profesorial (Habilitation à Diriger des Recherches) në sociologji dhe antropologji në vitin 2004 në Universitetin Paris Descartes (Sorbonne) në përmbushje me kërkesat kualifikuese si profesor universitetesh brenda sistemit akademik francez. Më parë ai ka qenë kërkues vizitues në Universitetin e Harvardit, anëtar nderi i departamentit të antropologjisë në University College London dhe i komanduar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) si zëvendësrektor i Universitetit të Durrësit në Shqipëri.

Në vitin 2008 ai fiton titullin "Profesor" dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe po atë vit zgjidhet Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushën e antropologjisë.

Në vitin 2009 Albert Doja fiton kualifikimin “Profesor i universiteteve”, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë.[1] Pasi fiton konkursin kombëtar, me Dekret të Presidentit të Francës, në shtator 2011 emërohet Profesor titullar i Universiteteve në Université de Lille.[2]

Fushat e kërkimeve shkencore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

I formuar në antropologji sociale, Albert Doja i ka zgjeruar hulumtimet e tij ndërdisiplinisht në teoritë sociale, politike dhe antropologjike. Fusha primare e interesave të tij kërkimore është në antropologjinë sociokulturore dhe përqendrohet në studimet europiane, kryesisht në zonën e Europës Juglindore, duke përdorur analiza empirike dhe historike të marrëdhënieve shoqërore të bazuara në punën e terrenit dhe në të dhënat etnografike. Projektet e tij kërkimore mund të kuptohen si zgjerim i punës së tij të mëparshme mbi organizimet shoqërore, politikat identitare, përfytyrimet kolektive, aktivizmin kulturor dhe prodhimin e njohurive në kontekstet shqiptare dhe europiano-juglindore. Ndër të tjera, ai ka punuar dhe botuar gjerësisht mbi konfliktet ndëretnike dhe dhunën seksuale në kohë lufte, si dhe mbi studimin antropologjik të fesë dhe instrumentalizimin e lëvizjeve fetare ashtu si ato përjetohen dhe praktikohen në kontekste të ndryshme kulturore dhe politike. Ka eksploruar gjithashtu edhe çështjet bashkëkohore të dinamikës ndërkulturore të normave dhe vlerave shoqërore, themelet ideologjike dhe instrumentale të botëkuptimeve fetare, transformimet identitare dhe përfytyrimet ndërkombëtare, si dhe qasjet sociokulturore ndaj proceset politike globale.

Interesat e tij kërkimore përfshijnë problematika të ndryshme teorike dhe praktike që lidhen me historinë e mendimit dhe teoritë socio-antropologjike, epistemologjinë e shkencave sociale, post-strukturalizmin dhe neo-strukturalizmin, antropologjinë e kulturës dhe të politikës së identitetit kulturor, fetar, gjinor, social dhe politik, manipulimet politike të kulturës, gjuhës, fesë dhe gjinisë, pushtetin e ideologjive, fesë dhe miteve në shoqëri dhe politikë, përkatësinë etnike dhe nacionalizmin, marrëdhëniet ndër-etnike, migrimet ndërkombëtare dhe komunikimet ndër-kulturore, antropologjinë e simbolizmit dhe të komunikimit, marrëdhëniet e shkëmbimit dhe sistemet e komunikimit në shoqëri dhe politikë, trashëgiminë kulturore, tranzicionin demokratik dhe transformimet shoqërore, çështje të modernitetit dhe post-modernizmit, prejardhjen e dijes dhe transmetimit të njohurive, teknikat e trupit, konceptin e personit, ndërtimin e gjinisë, farefisninë dhe rolin e teknologjive riprodhuese, shëndetit reproduktiv dhe planifikimit familjar.[3]

Analizat strukturale dhe kritika e posmodernizmit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në një numër studimesh, Albert Doja ka ndërmarrë një kritikë gjithëpërfshirëse të retorikës postmoderniste të post-strukturalializmit,[4] në një kuadër më të gjerë të rivlerësimit të trashëgimisë strukturore në antropologji.[5] Qëllimi i tij është të çojë përpara një lëvizje refleksive novatore mbi konstruktivizmin neo-strukturor,[6] që mund të sugjerojë përpunimin e mundshëm të një vizioni të ri për zhvillimin e ardhshëm të antropologjisë dhe të teorisë sociale që integron traditat franceze dhe britanike-amerikane. Ai i bazon argumentet e tij mbi një përpunim inovativ të mjeteve konceptuale dhe teorike të Levi-Straussit në traditën franceze të antropologjisë. Qëllimi i tij i shprehur qartë është të kontribuojë më tej nga pikëpamja metodologjike dhe empirike në këtë lëvizje teorike që synon të përpunojë më tej një model neo-strukturor të modelimit kanonik dhe të analizës morphodinamike dhe transformuese, të cilat mund të ofrojnë një instrument të ri dhe të fuqishëm shpjegues për t’iu qasur në mënyrë kritike fuqisë normative të kulturave dhe ideologjive të njohjes. Në të njëjtën kohë, ai ka propozuar një teori të re strukturore konstruktiviste të fushës së identiteteve dhe të përfytyrimeve. Kjo është një metodologji e realizueshme për të kuptuar në mënyrë kritike marrëdhëniet interaktive midis strukturës dhe agjencisë nën ndikimin e kulturës dhe të ideologjisë si instrumente politike dhe normative të pushtetit dhe të hegjemonisë.

Albert Doja është i njohur për angazhimin e tij për të hedhur poshtë kritikën tashmë zulmëmadhe me të cilën Jacques Derrida pretendoi të tregojë dobësinë dhe kontradiktat e supozuara në interpretimet historike dhe politike të Levi-Strauss-it mbi shkrimin dhe karakterizimit të shoqërisë moderne industriale me patologjitë e komunikimit të shkruar.[7] Albert Doja ka treguar se si Derrida i ka shtrembëruar mendimet e Levi-Strauss-it dhe e ka akuzuar atë për etnocentrizëm, subjektivizëm, empiricizëm, truizëm, arkaizëm, utopi primitiviste, epigjenetizëm, të menduar të ngathët, teologji dhe metafizikë, me pak fjalë për gjithçka që është krejtësisht në kundërshtim me gjitëçka që normalisht mbahet si meritë e analizave Levi-Straussiane. Ndërkohë, Albert Doja ka argumentuar se duke keqpërdorur kontributin e vërtetë teorik dhe epistemologjik të Levi-Strauss-it në njohuritë e përgjithshme, leximi që Derrida i ka bërë “Tropikëve të Trishtë” të Levi-Strauss-it është një shembull tipik dhe famëkeq ku bashkohen të gjithë elementët thelbësorë didaktikë të kritikës “dekonstruksioniste” dhe që duket se është ajo gjithçka që karakterizon dekonstruksionizmin kritiko-letrar, i cili në analizë të fundit shndërrohet në një skolastikë mashtrimi arrogant që vetëm injoranca ose dizinformimi i qëllimshëm mund ta bëjë të mundur.[8]

Kohët e fundit, Albert Doja ka ofruar një etiologji jo-polemike për çështjen e diskutueshme të shkrimit inkluziv në frëngjishte. Për këtë qëllim, ai i është kthyer debatit të vjetër midis Derrida dhe Lévi-Strauss mbi vendin e shkrimit,[9] që është kthyer tashmë një moment themelor në historinë e ideve. Albert Doja vë në dukje së pari mashtrimin intelektuale të Derrida-s mbi të cilin është mbështetur më pas gjithë entuziazmi i kthesës dekonstruksioniste. Kjo ka bërë të mundur lidhjen midis gjenealogjisë së dekonstruksionizmit dhe politikës ekskluzive të shkrimit inkluziv.[10] Larg prej deklaratave të zakonshme partizane, apo spekulimeve sterile dhe keqdashëse mbi nocionin e dekonstruksionit, Albert Doja i rikthehet analizës se këtij përfytyrimi të gabuar famëkeq me argumente të reja empirike dhe analitike që bëjnë të mundur një kuptim më nga afër të zhvillimit aktual të lëvizjeve fundamentaliste që po sjellin devijime radikale dhe reagime epidermike në shoqëritë sotme perëndimore.

Morfodinamika fetare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Albert Doja ka punuar gjerësisht mbi « morfodinamikën fetare », duke marrë parasysh historinë politike të bektashizmit si një shembull që ilustron historinë transformuese të fesë nga një lëvizje në institucion zyrtar. Me një qasje inovative dhe të argumentuar, ai tregon se sistemi i besimeve dhe praktikave që lidhen me bektashizmin korrespondon historikisht me një lloj teologjie çlirimtare, ndërsa struktura e grupeve bektashiane korrespondon pak a shumë me llojin e organizimit fetar të njohur konvencionalisht si grupe karizmatike dhe komunitete bazë kishtare. Argumenti kryesor është se për shkak të këtyre doktrinave teologjike dhe strukturave organizative, tendencat spirituale bektashiane janë lidhur në kohë të caktuara me perspektivat sociale, kulturore dhe kombëtare. Është kombinimi i përgjithshëm i këtyre faktorëve që i kanë paraqitur bektashinjtë, ashtu si mistikët heterodoksë dhe heretikët e çdo lloji, si jo-konformistë dhe shpesh të rrezikshëm për institucionet politike. Albert Doja ka treguar kështu ka ndodhur me bektashinjtë në Anatolinë otomane dhe në Turqinë moderne, ashtu si dhe gjatë lëvizjes së Rilindjes kombëtare shqiptare apo në Shqipërinë e pavarur dhe postkomuniste. Megjithatë, në rrethana të tjera, ata bëhen politikisht të përputhshëm dhe të besueshëm, pikërisht kur anëtarët e pakicës fetare të persekutuar fitojnë një farë respekti fetar dhe politik brenda shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kohë, doktrinat e teologjisë heterodokse dhe çlirimtare zbehen dhe trashëgimtarët e nxitësve heterodoksë të reformës spirituale dhe të lëvizjes sociale kthehen në ndjekës dhe mbrojtës besnikë të autoritetit legjitim. Ata bëhen zëdhënës të një ortodoksie të institucionalizuar dhe mbështetja e tyre kërkohet nga regjimi politik.

Albert Doja ka botuar disa libra dhe një numër të madh artikujsh shkencorë origjinalë, kryesisht në anglisht dhe në frengjisht, në revista ndërkombëtare të indeksuara me faktor impakti, peer-reviewed dhe me bord redaktorial shqyrtimi, si Journal of the History of Ideas; Social Science Information; Theory Culture & Society, Anthropology Today; Critique of Anthropology; Social Anthropology; History and Anthropology; Reviews in Anthropology; Anthropological Quarterly; Anthropos; European Legacy; Rural History; Economy Society & Culture; Religion State & Society, Journal of Church & State, Numen, Journal of Family History, Onoma, etj.[11]

Shumë prej botimeve të tij janë ribotuar dhe përkthyer edhe në shqip, si dhe në gjuhë të tjera europiane (gjermanishte, italishte, rusishte, serbishte, çekishte, estonishte) apo edhe në gjuhët aziatike (vietnamisht, turqisht).

Kariera akademike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Para emërimit të tij si Profesor i Antropologjisë në Université de Lille në Francë, Albert Doja ka mbajtur rregullisht disa poste akademike, mësimdhënëse dhe kërkimore në një numër universitetesh dhe institucionesh kërkimore ndërkombëtare dhe kombëtare, si Université de Provence Aix-marseille, Université de Paris-8, në Qendrën Kombëtare të Kerkimit Shkencor (CNRS) dhe në Vatrën e shkencave sociale (MSH) në Francë; apo në University of Hull në Angli dhe University of Limerick në Irlandë. Në Shqipëri, ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore, Universitetin e Durrësit, University of New York Tirana, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin e Korçës. Ai ka ligjëruar antropologji sociale si profesor i ftuar dhe ka zhvilluar kërkime në terren edhe në shumë vende të tjera.

Që prej vitit 2004, Albert Doja është Honorary Research Fellow në departamentin e antropologjisë në University College London në Angli. Prej vitit 2010, ai është gjithashtu Anëtar i Bordit të ekspertëve të Fondit flamand për Kërkimet Shkencore në Belgjikë në fushat e shkencave sociale dhe politike,[12] si dhe anëtar i Këshillit kombëtar të shkencës në Letoni; si dhe anëtar bordi në revista akademike ndërkombëtare.

Prej vitit 2020 Albert Doja është Anëtar i Këshillit kombëtar të Universiteteve franceze (CNU) në seksionin e antropologjisë.

Gjatë vitit 2017-2018, Albert Doja është edhe profesor vizitues në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Midis vlerësimeve të tjera në fushën e antropologjisë, Claude Lévi-Strauss i ka shkruar më 1 korrik 2006 një letër personale ku ka vlerësuar "shkallën e njohurive të thella", si dhe "rigorozitetin dhe rëndësinë dialektike të analizave" të tij, apo edhe "guximin dhe largpamësinë" e tij në trajtimin e problematikave antropologjike.[13]

  1. ^ Liste de qualification aux fonctions de professeur des universités arrêtée en 2009 par le Conseil national des universités, JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0008 du 10 janvier 2010, texte n° 34
  2. ^ Décret du 29 septembre 2011 portant nomination, titularisation et affectation (enseignements supérieurs), JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0228 du 1 octobre 2011, texte n° 97.
  3. ^ "Albert Doja - Université de Lille" (në anglisht).
  4. ^ Albert Doja. 2006. "The kind of writing: anthropology and the rhetorical reproduction of postmodernism". Critique of Anthropology 26 (2): 157–180, doi:10.1177/0308275X06064993. ⟨halshs-00405948
  5. ^ Albert Doja. 2005. "The advent of heroic anthropology in the history of ideas". Journal of the History of Ideas 66 (4): 633-650, doi:10.1353/jhi.2005.0054; Albert Doja. 2006. "The shoulders of our giants: Claude Lévi-Strauss and his legacy in current anthropology". Social Science Information 45 (1): 79-107, doi:10.1177/0539018406061104.
  6. ^ Albert Doja. 2008. "Claude Lévi-Strauss at his Centennial: toward a future anthropology". Theory, Culture & Society 25 (7-8): 321-340, doi:10.1177/0263276408097810; Albert Doja. 2010. "Claude Lévi-Strauss (1908-2009): The apotheosis of heroic anthropology". Anthropology Today 26 (5): 18-23, doi:10.1111/j.1467-8322.2010.00758.x.
  7. ^ Jacques Derrida. 1967. De la grammatologie. Paris: Minuit. English transl. by Gayatri Spivak (1976) Baltimore: Johns Hopkins University Press.
  8. ^ Albert Doja. 2006. "The kind of writing: anthropology and the rhetorical reproduction of postmodernism". Critique of Anthropology 26 (2): 157–180, doi:10.1177/0308275X06064993. ⟨halshs-00405948⟩; Albert Doja. 2007. "Creative misreading and bricolage writing: A structural appraisal of a poststructuralist debate". Portuguese Review of the History of the Book 11 (22): 89-104. (halshs-00405944).
  9. ^ Albert Doja. 2006. "The kind of writing: anthropology and the rhetorical reproduction of postmodernism". Critique of Anthropology 26 (2): 157–180, doi:10.1177/0308275X06064993. ⟨halshs-00405948
  10. ^ Albert Doja. 2022. “The Writing lesson and the Violence of the Letter: From the genealogy of deconstruction to the politically excluding instrument of inclusive writing”, Symposium on After the Deconstruction: reconstructing the social sciences], College of Philosophy in the Sorbonne, 7-8 January 2022. Video link.
  11. ^ Lista e plotë e botimeve me lidhje përkatëse për shkarkime http://www.researcherid.com/rid/C-1637-2008[lidhje e vdekur]
  12. ^ "Fonds Wetenschappelijk Onderzoek – Expertpanel Members" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 27 gusht 2011. Marrë më 17 shtator 2011.
  13. ^ Letra me dorëshkrim të Claude Lévi-Strauss është botuar si ilustrim i një shkrimi përkujtimor mbi veprën dhe ndikimin e tij në mendimin shkencor dhe intelektual të shekullit njëzetë: Albert Doja, "Claude Lévi-Strauss (1908-2009): The apotheosis of heroic anthropology", Anthropology Today, vol. 26 (5), f. 20 doi:10.1111/j.1467-8322.2010.00758.x (http://hal.ccsd.cnrs.fr/halshs-00523837).