[go: up one dir, main page]

Jump to content

Sonargaoni

Coordinates: 23°38′51″N 90°35′58″E / 23.647547°N 90.599327°E / 23.647547; 90.599327
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sonargaoni
Emri amëtar
bengalisht: সোনারগাঁও
Fotomontazh i Sonargaonit, nga e djathta majtas, Xhamia Goaldi, Varri i Ghijasudin Azam Shahut, Ura e Panamit, Ndërtesa në Panam Nagar, Bara Sardar Bari, Ndërtesa nga Panam Nagari
Llojiqytet
EtimologjiaFshati i artë
Vendndodhja Bangladesh, Distrikti i Narajanganxhit, divizioni i Dhakës
Koordinatat23°38′51″N 90°35′58″E / 23.647547°N 90.599327°E / 23.647547; 90.599327
Themeluar mëNë lashtësi

Sonargaoni (bengalisht: সোনারগাঁও; bn;[1] d.t.th.: Fshati i Artë) është një qytet historik në Bangladeshin qëndror. Ai i përket upazilës Sonargaon të distriktit të Narajanganxhit në divizionin e Dhakës.

Sonargaoni është një nga kryeqytetet e vjetër të rajonit historik të Bengalit dhe ishte qendra administrative e Bengalit Lindor. Ai ishte një port lumor. Brendatoka e tij ishte qendra e tregtisë së muslinës në Bengal, me një popullsi të madhe endësish dhe artizanësh. Sipas studiuesve greko romanë, në këtë hinterland ndodhej një emporium (qendër tregtie), që arkeologët e kanë identifikuar me Rrënojat e Vari-Bateshvarit të Perandorisë Gangaridai. Zona ishte një bazë për mbretëritë Vanga, Gangaridai, Samatata, dinastitë Sena dhe Deva.

Sonargaoni mori rëndësi gjatë Sulltanatit të Delhit. Ai ishte kryeqyteti i sulltanatit të drejtuar nga Fakhrudin Mubarak Shah dhe djali i tij Ikhtijarudin Ghazi Shah. Ai bujti oborrin mbretëror dhe punishten e prerjes së monedhave të Sulltanatit të Bengalit dhe ishte gjithashtu kryeqyteti i Sulltanatit të Bengalit nën sundimin e Ghijasudin Azam Shahut. Sonargaoni u bë një nga qytetet më të rëndësishëm në Bengal. Në këtë zonë u vendosën shumë emigrantë. Sulltanët ndërtuan xhami dhe mauzole. Ai më vonë u bë qendra e konfederatës së Baro-Bhujane që i rezistoi zgjerimit mogul nën udhëheqjen e Isa Khanit dhe djalit të tij, Musa Khanit. Sonargaoni pastaj u bë një distrikt i Bengalit Mogul. Gjatë Sundimit kolonial Britanik, tregtarët ndërtuan shumë rezidenca Indo-Saraçene në lagjen e Panam Nagarit. Rëndësia e tij në vijim u eklipsua nga Porti i afërt i Narajanganxhit, që u krijuan në vitin 1862.

Çdo vit, Sonargaoni tërheq shumë turistë në Bangladesh. Ai bujt Fondacionin e Artit dhe Artizanatit Folklorik të Bangladeshit, ashtu si dhe site të ndryshme arkeologjike, faltore sufi, tempuj hindu si dhe xhami dhe mauzolej historikë.

Historia

Lashtësia

Sounagoura e Lashtë, e përmendur nga Ptolemeu, mund të kenë qenë Rrënojat Vari-Bateshvari, pranë Sonargaonit

Sonargaoni gjendet afër shtratit të vjetër të lumit Brahmaputra. Në veri të Sonargaonit ndodhen Rrënojat e Vari-Bateshvarit, që arkeologët i konsiderojnë si emporin (qendër tregtimi) e Sounagouras të përmendur nga shkrimtarët greko-romakë.[2]

Emri Sonargaon rrjedh nga emri i qytetit të lashtë Suvarnagrama. Sonargaoni është sunduar nga mbretëritë Vanga dhe Samatata gjatë lashtësisë. Dinastia Sena e përdori zonën si një bazë. Mbreti i Dinastisë Deva, Dasharathadeva e zhvendosi kryeqytetin nga Bikramapuri në Suvarnagrama në mes të shekullit të XIII.[3] Sonargaoni është gjithashtu një nga vendndodhjet e mundshme të tokës mitike të Suvarnabhumit që përmendet në kulturat përreth Nënkontinentit Indian dhe Azisë Juglindore.

Rrënoja të një pallati në Sonargaon

Sulltanati i Delhit (shekujt e XIII dhe XIV)

Besimtarët myslimanë mbërritën për herë të parë në Sonargaon rreth vitit 1281.[4] Në fillim të shekullit të XIV, Sonargaoni u bë pjesë e Sulltanatit të Delhit, kur Shamsudin Firoz Shah, guvernatori i Delhit në Gauda, pushtoi Bengalin qëndror. Firoz Shahu ndërtoi një fabrikë për prerjen e monedhave në Sonargaon nga ku u prenë një numër i madh monedhash.[5] Guvernatorët e Delhit në Bengal u përpoqën shpesh të fitonin pavarësinë. Guvernatorët rrebelë shpesh zgjodhën Sonargaonin si kryeqytet të Bengalit. Kur Firoz Shahu vdiq në vitin 1322, djali i tij, Ghijasudin Bahadur Shahu, e zëvendësoi atë në fron. Në vitin 1324, sulltani i Delhit Ghijasudin Tughlaku i shpalli luftë atij dhe arriti ta kapte Bahadur Shahun në betejë. Gjatë të njëjtit vit, sulltan Muhamad bin Tughlaku e liroi atë dhe e caktoi si guvernator të Sonargaonit.[6]

Sonargaoni filloi të zhvillohej si një qendër e studimit islam dhe letërsisë perse. Në Sonargaon u vendosën shumë emigrantë persë dhe turqë persianatë. Maulana Sharfudin Abu Tauvama i Buharasë erdhi në Sonargaon rreth vitit 1270 dhe themeloi një teqe dhe medrese sufiste, që jepte arësim fetar dhe laik. Institucionet u bënë të njohura përgjatë gjithë Nënkontinentit Indian. Sharfudin Jahja Maneri, një studiues i shquar sufi i Biharit, ishte nxënës në Sonargaon. Libri i Tauvamas mbi misticizmin, Makamat, gëzoi një reputacion të lartë. Gjatë administrimit të Roknudin Kaikausit (1291-1301), djali i Nasirudin Bughra Khanit, Nam-i-Hak, një libër mbi fikhun (jurisprudencën), u shkruan në poezinë elegante perse, në Sonargaon. Ai përbëhet nga 10 volume që përmbajnë 180 poema. Megjithaëse autorësia e këtij libri i është atribuar Shaikh Sharafu’d-Din Abu Tauvamas, hyrja e autorit dëshmon se libri faktikisht u shkrua nga një dishepull i Shaikh Sharafu’d-Dinit mbi bazën e mësimeve të tij. [7] Fatva-i-Tatarkhani u hartua me nismën e Tatar Khanit, guvernatori tughluk i Sonargaonit.[3]

Sullatanati i Sonargaonit (shekulli XIV)

Harta e udhëtimit të 7-të të flotës së Zheng Heut bazuar mbi analizën e Edward L. Dreyer, tregon se Hong Bao dhe Ma Huan e vizituan Sonargaonin në vitin 1432.[8]

Sulltanati i Sonargaonit u bë një shtet i pavarur për një kohë të shkurtër me kontroll mbi Bengalin qëndror, veri-lindor dhe jug-lindor. Kur Bahram Khani vdiq në vitin 1338, shqytari i tij, Fakhrudin Mubarak Shahu, e shpalli veten sulltan të pavarur të Sonargaonit.[4] Fakhrudin sponsorizoi mjaft projekte ndërtimore, duke përfshirë një rrugë të madhe dhe ngriti argjinatura, përgjatë xhamive dhe mauzoleve. Sonargaoni filloi të pushtonte zona që u përkisnin mbretërive lindore të Arakanit dhe Tripurës. Ushtria e Sonargaonit pushtoi Chittagongun në Bengalin juglindor në vitin 1340. Në perëndim, Sonargaoni konkuroi me qytet shtetet fqinje të Lakhnautit dhe Satgaonit për mbizotërim ushtarak në Bengal. Sonargaoni mbizotëroi në fushatat navale gjatë musoneve. Lakhnauti mbizotëroi në fushatat tokësore gjatë stinës së thatë.[9] Udhëtari i shekullit të XIV Ibn Batuta vizitoi Sulltanatin e Sonargaonin. Ai mbërriti nëpërmjet portit të Chittagongut, nga ku vijoi në rajonin e Sylhetit për tu takuar me Shah Xhalalin. Pastaj ai vijoi për në Sonargaon, kryeqyteti i sultanatit. Ai e përshkruan Fakhrudinin si "një sovran i dalluar që i donte të huajt, veçanërisht fakirët dhe sufitë". Në portin lumor të Sonargaonit, Ibn Batuta hipi në një anije kineze xhunk që e çoi atë për në Xhava.[10][11] Pas vdekjes së Fakhrudinit në vitin 1349, djali i tij Ikhtijarudin Ghazi Shahu bë sunduesi pasues i pavarur i Sonargaonit.[12] Sunduesi i Satgaonit, Shamsudin Iljas Shahu në vijim në vitin 1352 e mundi Sonargaonin dhe krijoi Sulltanatin e Bengalit.[13]

Varri i sulltan Ghijasudin Azam Shahut

Sulltanati i Bengalit (shekujt e XIV, XV dhe XVI)

Tre qytet shtetet e Bengalit u bashkuan në një sulltanat të pavarur. Pati një shkëputje domethënëse nga autoriteti i Sulltanatit të Delhit. Sonargaoni u bë një nga qytetet kryesore në pjesën lindore të Nënkontinentit Indian. Ai ishte një port i rëndësishmë lumor strategjikisht me afërsi ndaj Luginës së Brahmaputrës dhe Gjirit të Bengalit. Sulltani i tretë bengalez, Ghijasudin Azam Shahu krijoi një oborr mbretëror në Sonargaon. Qyteti lulëzoi si një qendër për shkrimtarët, juristët. Sasia e pamatë e prozës dhe poezisë perse të prodhuar në Sonargaon gjatë kësaj periudhe është përshkruar si "epoka e artë e Letërsisë Perse" në Bengal.[7] Sulltani ftoi poetin pers Hafez në oborrin e Bengalit në Sonargaon. Institucionet e themeluara nga Abu Tauvama u mbajtën nga pasuesit e tij, duke përfshirë predikuesin sufi Sajid Ibrahim Danishmand, Sajid Arif Billah Muhamad Kamel, Sajid Muhamad Jusuf dhe të tjerë.[3]

Xhamia Goaldi, e ndërtuar gjatë sundimit sulltan Alauddin Hussain Shahut

Gjatë shekullit të XV, udhëtimet kineze të thesarit, përfshin një ekspeditë në Sonargaon. Ambasadat kineze në Bengal ishin pjesë e misionit të admiralit Zheng He. Informacioni rreth kësaj ekspedite vjen nga libri i njërit nga pjesëmarrësit e saj, Ma Huan.[1] Në vitin 1451, Ma Huan e përshkroi Sonargaonin si një qytet me mure fortifikuese,[3] me një oborr mbretëror, pazare, rrugë të mbushura, ujëmbledhësa dhe një port.

Gjatë Dinastisë Husain Shahi, Sonargaoni u përdor si një bazë nga sulltanët gjatë fushatave kundër Assamit, Tripuras dhe Arakanit. Sulltanët organizuan nga Sonargaoni sulme në Assam dhe Tripura.[14] Porti lumor ishte jetësor gjatë fushatave navale, si gjatë Luftës mes Sulltanatit të Bengalit me Mbretërinë Kamata ashtu dhe në Luftën mes Sulltanatit të Bengalit me Mbretërinë e Mrauk U të viteve 15121516.

Sonragaoni bujtëte një fabrikë për prerje monedhash. Ai ishte një nga qytetet më të rëndësishme në Sulltanatin e Bengalit. Ai ishte qendra kryesore administrative e Bengalit Lindor, veçanërisht për rajonin Bhati. Zyrtarët e lartë të Sulltanatit të Bengalit e kishin bazën në Sonargaon.[14] Në rajon u vendosën emigrantë turq, arabë, abisinas (habeshi), persë, pashtunë dhe raxhputë dhe u bënë sonargajonas. Sonargaoni u bë edhe fundi lindor i Rrugës së Madhe Kryesore, që u ndërtua nga Sher Shah Surishekullin e XVI.[4] Rruga e Madhe Kryesore ishte një itinerar kryesor tregtar që shtrihej nga Bengali deri në Azinë Qëndrore. Begatia e Sulltanatit të Bengalit dëshmohet nga udhëtarët europianë, duke përfshirë Ludovico di Vartheman, Duarte Barbosan dhe Tomé Piresin. Sipas këtyre udhëtarëve, Sonargaoni ishte një qendër e rëndësishme tregtare. Shumë nga endësit dhe artizanët e tij ishin hindu. Kur Sulltanati i Bengalit u shpërbë në fund të shekullit të XVI, Sonargaoni vijoi të ishte një bastion i pavarësisë bengaleze për disa dekada.

Isa Khani

Baro bhujanët (fundi i shek. të XVI dhe fillimi i shek. të XVII)

Nën sulltanin Taxh Khan Karrani, fisniku Isa Khan, që ishte kryeministër oborrin e sulltanit, fitoi një zotërim tokash që mbulonte sipërfaqen e Sonargaonit. Dinastia Karrani u mund nga forcat Mogule në Bengalin Lindor. Isa Khani dhe një konfederatë zamindarësh (pronarë feudalë tokash) i rezistuan zgjerimit mogul në Bengalin Lindor. Konfederata është e njohur si Baro-Bhujan (dymbëdhjetë bhujanët), duke përfshirë zamindarë myslimanë dhe hindu, shumë nga të cilët kishin prejardhje turke dhe raxhpute, që përgjatë kohës në vazhdim u bënë sonargaonas. Isa Khani e rriti gradualisht fuqinë e tij dhe duke u caktuar si drejtues i të gjithë rajonit Bhati, me titullin e Mansad-e-Ala.

Te libri Ain-i-Akbari, Abul Fazli shkroi rreth "varkave bengaleze të përsosura të luftës" të flotës së Isa Khanit.[15] Te Akbarnama, Abul Fazli pohonte: "Isai fitoi nam nga gjykimi i tij i pjekur dhe maturia, dhe bëri dhymbëdhjetë zamindarët e Bengalit ti bindeshin".[16] Isa Khani përdorte Fortesën Xhangalbari. Në vitin 1578, dymbëdhjetë Bhujanët mundën nënmbretin mogul Khan Xhahan I, nën udhëheqjen e zamindarëve Maxhlis Pratap dhe Maxhlis Dilavar, pasi Isa Khani ishte detyruar të tërhiqej gjatë një beteje në lumin Meghna.[17] Në vitin 1584, duke vijuar një pushtim të Shahbaz Khan Kambohut, Isa Khani dhe Masum Khan Kabuli nisën një kundërsulm të suksesshëm tokësor dhe naval në Egarosindur, në brigjet e lumit Brahmaputra, që smbrapsi pushtimin mogul.[18] Në vitin 1597, flota e Isa Khanit i shkaktoi një humbje të madhe flotës mogule në lumin Padma. Moghulët drejtoheshin nga nënmbreti Man Singh I, që humbi djalin e tij në betejë. Flota e Isa Khanit e kishte rrethuar flotën mogule në të katërta anët.[19]

Në vitin 1580, udhëtari anglez Ralph Fitch e përshkroi shtetin e Isa Khanit, duke pohuar se "për këtu ndodhen kaq shumë lumenj dhe toka, sa ata (mogulët) ja mbathën nga njëri te tjetri, ndërsa kalorësit e tij (Akbarit) nuk mund të mbizotëronin ndaj tyre. Aty është bërë dyqani i madh i pambukut. Sinergani (Sonargaoni) është një qytet gjashtë lega nga Serreporeja, ku ndodhen pëlhurat më të mira dhe të përsosura të bëra prej pambuku në të gjithë Indinë. Mbreti kryesor i të gjitha këtyre vendeve quhet Isacan (Isa Khani) dhe ai është kryesori i të gjithë mbretërve të tjerë, dhe që është një mik i madh i të gjithë të krishterëve".[20] Në vitin 1600, misioni jezuit pohoi se pas mundjes së Sulltanatit të Bengalit, "Dymbëdhjetë princat, të quajtur Bojonë [bhūyān] që qeverisnin dymbëdhjetë provinca në emër të ish-mbretit, megjithatë, ju larguan masakrës. Ata u bashkuan kundër mongolëve dhe kështu, falë aleancës së tyre, secili i ruajti zotërimet e saj. Shumë të pasur dhe në zotërim të forcave të fuqishme, ata e mbajtën veten e tyre si mbretër, kryesisht ai i Sripurit, i quajtur edhe Kadaraj [Kedar Rai] dhe Çandekani [Raxha Pratapaditja i Xhesores], por mbi të gjitha titulli Mansondolin [“Masnad-i ‘ālī,” i Isa Khanit]. Patanët [afghanët], duke qenë të shpërndarë sipër, janë subjekte të bojonëve".[21]

Isa Khani vdiq në shtator 1599 dhe pas tij, kontrollin e rajonit Bhati e mori i biri, Musa Khani. Fjalori Shabda-Ratnakari u hartua nga poeti i oborrit Nathuresh gjatë sundimit të Musa Khanit.[3] Pas mundjes së Musa Khanit më 10 korrik 1610[22] nga gjenerali mogul Islam Khan, Sonargaoni u bë pjesë e distrikteve të Bengal Subahut. Kryeqyteti i Bengalit më vonë u zhvillua në metropolin e ri mogul të Dhakës.

Sundimi Moghul (shek. XVII dhe XVIII)

Sonargaoni ishte një nga distriktet (sarkar) të Bengalit Mogul. Mogulët ndërtuan mjaft fortifikime buzë-lumore afër Sonargaonit, si pjesë e mbrojtjeve për kryeqytetin provincial të Dhakës kundër piratëve arakanezë dhe portugezë. Këto përfshinin Fortesën e Haxhiganxhit dhe Fortesën e Sonakandës. Mogulët ndërtuan gjithashtu mjaft ura, duke përfshirë Urën e Panamit, Urën e Dalalpurit dhe Urën e Panamnagarit, që janë akoma në përdorim.

Sundimi Britanik (shek. e XVIII, XIX dhe fillimi i të XX-it)

Gjatë Sundimit Britanikshekullin e XIX, lagjja e Panam Nagarit u zhvillua me shtëpi qytetare, zyra, tempuj dhe xhami. Arkitektura e lagjes u ndikua nga arkitektura europiane. Panami ishte një qendër e pasur e biznesit të tekstileve, veçanërisht të rrobat e pambukut. Tregtarët përfshinin hindu bengalezë, myslimanë marvarë dhe bengalezë.[3]

Muzeu i Sonargaonit

Periudha moderne

Fondacioni i arteve dhe zejeve folklorike të Bangladeshit u vendos në Sonargaon nga piktori Bangladeshas Zainul Abedin në 12 mars 1975.[4] Shtëpia, fillimisht e quajtur Bara Sardar Bari, u ndërtua në vitin 1901. Më 15 shkurt 1984, nënndarja e Narajanganxhit u ngrit në nivelin e distriktit nga Qeveria e Bangladeshit.[23]

Një nën-distrikt i distriktit të Narajanganxhit, më parë i quajtur Baidjabazar u riemërtua Sonargaon. Për shkak të shumë kërcënimeve ndaj ruajtjes (duke përfshirë përmbytjet dhe vandalizmin), Sonargaoni u vendos në Listën e Vëzhgimit të vitit 2008 të 100 siteve më të rrezikuara nga Fondi i Monumenteve Botërore.[24] Sonargaoni i tanishëm është një bashki në distriktin e Narajanganxhit.

Tregtia

Raxhar Bari

Sonargaoni ishte një qendër e lashtë e prodhimit të muslinës dhe manifakturës tekstile. Ai ishte i famshëm për një rrobë me bazë pambuku të quajtur khasa për cilësinë e saj të përsosur.[25] Tokat pjellore përreth qytetit gjithashtu prodhonin oriz për eksport. Udhëtari anglez Ralph Fitch përshkroi kulturën e endjes së tekstileve të pambukut të zonës në shekullin e XVI. Endësit ishin një pjesë e popullsisë. Në vitin 1580, ai pohon se "Shtëpitë aty, siç ishin në pjesën më të madhe të Indisë, janë shumë të vogla dhe të mbuluara me kallama, kashtë, dhe pak baltë përreth mureve dhe derës për të mbajtur jashtë tigrat dhe dhelprat. Shumë nga banorët janë shumë të pasur. Aty ata nuk do të hanë mish, nuk do të vrasin asnjë kafshë; Ata ushqehen me oriz, qumësht dhe fruta, ata shkojnë me një rrobë të vogël para tyre dhe pjesa tjetër e trupit të tyre është i zhveshur. Depoja e madhe e rrobave të pambukut zhvillohet kështu dhe shumë oriz, ndërsa ata furnizojnë të gjithë Indinë, Cejlonin, Pegun, Malakan".[26]

Sonargaoni ishte një port lumor me akses në Gjirin e Bengalit nëpërmjet grykëderdhjes së Bengalit. Anijet detare udhëtonin mes Sonargaonit dhe vendeve të Azisë Juglindore dhe Jugperëndimore.[3]

Demografia

Feja në Sonargaon (2011)[27]
Feja Përqindja
Islami
90.96%
Hinduizmi
8.99%
Të tjerë ose të padeklaruar
0.05%

Në kohën e censusit të vitit 2011, Bashkia e Sonargaonit kishte 7,289 familje me një popullsi prej 32,796. 6,952 (21.20%) ishin nën moshën 10 vjeçe. Sonargaoni kishte një raport alfabetizmi prej 62.57% dhe një raport gjinor prej 951 femra për 1000 meshkuj.[28]

Pika të shquara turistike

Panam Nagari: Qyteti i Panamit, gjendet në upazilën e Sonargaonit në distriktin e Narajanganxhit, është një vend historik dhe ish qendër tregtare e Bengalit. Afërsisht 400 vjeçar, ai paraqet një përzierje të arkitekturës së lashtë të Bengalit, Arkitekturës Mogule dhe asaj koloniale. Tërheqja kryesore është Panam Nagari, me rreth 52 banesa të vjetra me tulla.

Muzeu i Artit dhe Zejtarisë Folklorike të Sonargaonit: i krijuar në vitin 1975, ky muze ruan dhe ekspozon artin dhe artizanatin tradicional bangladeshas. Vizitorët mund të shikojnë një koleksion të pasur tekstilesh, poçarie, punime druri dhe metalesh.

Bara Sardar Bari: I ndërtuar në vitin 1901 nga zamindar Ishan Çandra Saha, Bara Sardar Bari është një pallat që paraqet stilin e Arkitekturës Moghule. Ai tani shërben si pjesë e Muzeut të Artit dhe Zejtarisë Folklorike të Sonargaonit, duke ofruar historinë e zamindarisë së rajonit.

Xhamia Goaldi: Kjo xhami e shekullit të XV është një shembull i mrekullueshëm i Arkitekturës Mogule, e njohur për gdhendjet e ndërlikuara dhe domethënien historike.

Taxh Mahali i Bangladeshit: I ndërtuar në vitin 2003 nga Ahsanullah Moni si një kushtim ndaj gruas së tij, ky monument është një kopje më e vogël por e bukur e Taxh MahalitAgra.

Xhojnul Abedin Smriti Xhadughari: Një përmendore kushtuar artistit Xhojnul Abedin, që paraqet pikturat, skicat, shkrimet dhe sendet personale të tij.

Kadam Rasul Dargah: Një sit domethënës fetar që besohet se bujt gjurmën e profetit islamik, Muhammedit, i njohur për bukurinë e saj arkitekturore.

Mazari i Panç Pirerit: Një sit popullor fetar në fshatin e Bhagalpurit, që tërheq mijëra vizitorë në vit për lutje dhe pelegrinazh.

Baradi: Një fshat i njohur për rëndësinë e tij historike, që përmban Pallatin e Isa Khanit, Xhaminë Sonali dhe Ashramin e Loknath Brahmaçarit.[29]

Shiko gjithashtu

Referime

  1. ^ a b Duarte Barbosa; Mansel Longworth Dames (1996) [1918–1921]. The book of Duarte Barbosa: An Account of the Countries Bordering on the Indian Ocean and Their Inhabitants (në anglisht). Asian Educational Services. fq. 138–39. ISBN 81-206-0451-2.
  2. ^ "A Family's Passion". Archaeology Magazine (në anglisht).
  3. ^ a b c d e f g Muazzam Hussain Khan (2012). "Sonargaon". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 2 shtator 2022.
  4. ^ a b c d Rabindra Gope (2011). A visitor's guide to the Sonargaon Museum (në anglisht). fq. 3. ISBN 978-984-33-2004-9.
  5. ^ A. B. M. Shamsuddin Ahmed (2012). "Shamsuddin Firuz Shah". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 2 shtator 2022.
  6. ^ Muazzam Hussain Khan (2012). "Ghiyasuddin Bahadur Shah". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  7. ^ a b Sirajul Islam; Sajahan Miah, red. (2012). "Persian". Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  8. ^ Edward L. Dreyer; Peter Stearns (2006). Zheng He: China and the oceans in the early Ming dynasty, 1405–1433. The library of world biography (në anglisht). Pearson Longman. ISBN 0-321-08443-8.
  9. ^ Sirajul Islam; Sajahan Miah, red. (2012). "Alauddin Ali Shah". Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  10. ^ Sirajul Islam; Sajahan Miah, red. (2012). "Ibn Battuta". Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  11. ^ Muazzam Hussain Khan (2012). "Fakhruddin Mubarak Shah". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 2 korrik 2015. Marrë më 2 shtator 2022.
  12. ^ Muazzam Hussain Khan (2012). "Ikhtiyaruddin Ghazi Shah". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Dhaka: Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 2 shtator 2022.
  13. ^ A. B. M. Shamsuddin Ahmed (2012). "Iliyas Shah". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Dhaka: Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 4 nëntor 2016. Marrë më 2 shtator 2022.
  14. ^ a b "Goaldi Mosque in Sonargaon". Dhaka Tribune (në anglisht). 22 dhjetor 2019.
  15. ^ Nidhi Dugar Kundalia (24 dhjetor 2015). The Lost Generation: Chronicling India's Dying Professions (në anglisht). Random House India. fq. 93. ISBN 978-81-8400-776-3.
  16. ^ A.A. Sheikh Md. Asrarul Hoque Chisti (2013). The Bara-Bhuiyans and Their Times: A Study of the local anti-Mughal Resistance in Bengal (1576-1612 A.C.) (PDF) (PhD) (në anglisht). University of Dhaka. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 16 shtator 2016.
  17. ^ Sirajul Islam; Sajahan Miah, red. (2012). "Isa Khan". Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  18. ^ Kunal Chakrabarti; Shubhra Chakrabarti (22 gusht 2013). Historical Dictionary of the Bengalis (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 257. ISBN 978-0-8108-8024-5.
  19. ^ Richard Maxwell Eaton (1996). The Rise of Islam and the Bengal Frontier, 1204-1760 (në anglisht). University of California Press. fq. 148. ISBN 978-0-520-20507-9.
  20. ^ John Horton Ryley (1899). Ralph Fitch, England's pioneer to India and Burma; his companions and contemporaries, with his remarkable narrative told in his own words (në anglisht). T.F. Unwin.
  21. ^ Richard Maxwell Eaton (1996). The Rise of Islam and the Bengal Frontier, 1204-1760 (në anglisht). University of California Press. fq. 146. ISBN 978-0-520-20507-9.
  22. ^ M. A. Hannan Feroz (2009). 400 years of Dhaka (në anglisht). Ittyadi. fq. 12.
  23. ^ Md Solaiman (2012). "Narayanganj". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Dhaka: Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Arkivuar nga origjinali më 7 mars 2016. Marrë më 2 shtator 2022.
  24. ^ "2008 World Monuments Watch List of 100 Most Endangered Sites" (PDF). World Monuments Fund (në anglisht). 2008. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 20 mars 2013. Marrë më 27 korrik 2015.
  25. ^ Ranjit Kumar Bhattacharya; S. B. Chakrabarti (2002). Indian Artisans: Social Institutions and Cultural Values (në anglisht). Anthropological Survey of India, Qeveria e Indisë, Ministria e Kulturës, Çështjeve Rinore dhe Sporteve. fq. 87. ISBN 978-818557956-6.
  26. ^ J. Horton Ryley (1899). Ralph Fitch (në anglisht).
  27. ^ "Bangladesh Population and Housing Census 2011 Zila Report – Narayanganj" (PDF). bbs.gov.bd (në anglisht). Bangladesh Bureau of Statistics.
  28. ^ "Community Tables: Narayanganj district" (PDF). bbs.gov.bd (në anglisht). Bangladesh Bureau of Statistics. 2011.
  29. ^ "Sonargaon: Ancient Capital of Bangladesh - RBS Property" (në anglishte amerikane). 20 qershor 2024. Marrë më 10 korrik 2024.

Bibliografia

Lidhje të jashtme