Hyrije Hana
Hyrije Hana (10 mars 1929, Gjakovë - 29 prill 2004, Prishtinë) ishte një atdhetare dhe aktore. Ajo ishte motra e aktivistit gjakovar Xheladin Hana.[1]
Biografia
Hyrije Hana u lind më 10 mars 1929 në qytetin e Gjakovës. Ishte e bija e Gjylies dhe e Shyqyri Hanës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pjesëtare e Aradhës Partizane "Bajram Curri". Pas përfundimit të Luftës do të filloj punën si folëse në Radio Prishtina dhe nga viti 1947 do të inkuadrohet si aktore në Teatrin Profesional të Prishtinës dhe së bashku me Meribane Shalën dhe Katarina Josipin do të jenë ndër aktoret e para në Kosovë. Në Teatrin Profesional të Prishtinës nuk qëndron gjatë sepse ishte motër e "armikut të popullit" Xheladin Hana. Më 1953, me ndihmën e aktorit Shaban Gashi pranohet aktore në Teatrin e Pakicave në Shkup. Aty luajti “E shoqja e Hasan Agës”, “Besa” e Sami Frashërit – Vahiden, tek Koshtana – nënën etj. Pas 15 muajsh në Teatrin e Pakicave në Shkup, pranohet në Teatrin e Mitrovicës. Më 1955 përsëri pranohet në Teatrin Popullor të Prishtinës. Pak kohë më vonë burgoset për herë të parë dhe denohet me dy vite burg. Më 1961 e burgosur për herë të dytë, e mban dënimin në Pozharevc deri më 1966, si pjesëtare e Organizatës Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar. Për herë të tretë u burgos më 1970, u dënua dhe e vuajti denimin në burgun e Pejës. [2] Hyrie Hana ishte "një atdhetare tepër e veçantë, e cila gjatë tërë jetës së saj vetëm i dha dhe asgjë nuk i morri Kosovës."[3] Ajo la në dorëshkrim veprën, "Kujtime – Automonografi", të cilat u botuan pas vdekjes së saj, në Prishtinë, më 2008.
Shih edhe
Lidhje të jashtme
- Hanemshahe Iljazi:Hyrije Hana, gruaja që bëri histori. 4 prill 2014, Koha.net, Vizituar më 16.10.2016.
Referime
- ^ Hajrullah Koliqi:Gruaja ndër shekuj (Arsimimi dhe emancipimi i saj), Libri shkollor, Prishtinë, 2009, fq. 359 - 360.
- ^ Sabile Keçmezi – Basha: “Kontributi atdhetar i Hyrie Hanës”, Prishtinë, 2011.
- ^ Selatin Novosella:Demonstratat e gjashtëdhjetetetës 3 (Portrete), Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2008, fq. 167.