[go: up one dir, main page]

Jump to content

ton

Nga Wiktionary

TON I m.

  • Njësi peshe e barabartë me një mijë kilogramë ose me dhjetë kuintalë. Një ton grurë. Dhjetë tonë misër. Kanë prodhuar njëqind tonë mbi planin.

TON II m. zool.

  • Peshk i madh grabitqar, deri në pesë metra i gjatë e me peshë deri në pesëqind kilogramë, me kurriz në ngjyrë blu të errët e me bark pulla -pulla, që rron zakonisht në detet e ngrohta. Gjuetia e tonit. Konserva toni.

TON III m.

  • 1. Tingull i rregullt në një lartësi të caktuar, që prodhohet nga lëkundje të njëpasnjëshme të valëve të ajrit; tingulli në kundërvënie me zhurmën. Ton i thjeshtë (i përbërë). Ton i lartë (i ulët). Ton i pastër.
  • 2. muz. Tingull muzikor; intervali më i madh ndërmjet dy notave të njëpasnjëshme në gamën muzikore; tingulli muzikor bazë me të cilin nis një këngë a një vepër tjetër muzikore. Gama ka pesë tone dhe dy gjysmëtone. Një ton më lart (më poshtë). I dha tonin korit (orkestrës).
  • 3. Forca a lartësia e zërit kur flasim. Ngre (ul) tonin. Fliste me ton të lartë.
  • 4. zakon. libr. Nuancë e hollë e një ngjyre, ngjyra a nuanca nga anon një ngjyrë tjetër. Me tone të hapura (të çelura). Me tone të errëta. Tonet e ngjyrës.
  • 5. Mënyra si flasim a si shkruajmë, mënyra si i themi gjërat për të shprehur më qartë ndjenjat, qëndrimin e vlerësimin tonë për dikë a për diçka. Me ton të ashpër (të butë). Me ton të ngrohtë (të ftohtë). Me ton lutës. Me ton atëror (këshillues). Me ton të prerë (të vendosur). Me ton tallës (qortues). Me ton zyrtar. Iu përgjigj me po atë ton. Ndërroi (ndryshoi) tonin.
  • I jep tonin (jetës, mbledhjes, etj.) libr. e përcakton, e bën të marrë një drejtim a një rrugë të caktuar (një mbledhje, një punë etj.); bën diçka që shërben si shembull për të tjerët bëhet shembull për diçka.