[go: up one dir, main page]

Jump to content

Manastiri i Shën Naumit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shën Naumi (manastir))

Shën Naum dhe Shëndaum është manastir ortodoks në Maqedoninë e Veriut, i dedikuar Shën Naumit mesjetar që e themeloi. Është buzë liqenit të Ohrit, 29 kilometra nga qyteti i Ohrit.

Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 905 nga Shën Naumi. Sipas traditës përcillet që Shën Naumi e ka varrin në kishë.Shpesh si pasojë e mistifikimit është menduar se kisha ka rezistuar që nga koha e Shën Naumit por gjatë sundimit otoman ajo është shkatërruar dhe ndërtuar sërish.

Që në shekullin e 16të pranë manastirit ka pasur një shkollë greke.

Vendi ku ndodhet manastiri i përkitte Shqipërisë prej 1912 e deri më 28 korrik 1925, kur me pranim të parlamentit shqiptar arrihej marrëveshja e lëshimit të rrethit të manastirit për tre katunde shqiptare në fushën e Dibrës[1]. Rrëfyer nga Mehdi bej Frashëri në kujtimet e veta çështja e shkëmbimit ka nisur siç citohet:

Dimrin e vitit 1924/1925 pjesërisht e shkuam në Florencë dhe pjesërisht në Paris, sepse Jugosllavia, me gjithë vendimin e gjykatores së Hagës, Shën-Naumin nuk donte t'ia dorëzonte Shqipërisë dhe Komisioni i Kufijve këshillonte që të bëhej një marrëveshje me Jugosllavinë për të shkëmbyer manastirin e Shën-Naumit me një vend tjetër, sepse Shën-Naumi është një shenjt sllav dhe popullsia sllave i jepte një rëndësi morale këtij manastiri. Rreth kësaj çështjeje, midis meje dhe qeverisë zogiste në Tiranë rrodhi një korrespondencë rreth vendeve që do të shkëmbeheshin si kompensim i manastirit të Shën-Naumit.

Qeveria e Tiranës, si kompensim kishte kërkuar disa katunde që ndodhen në fushën e Dibrës afër qytetit që mban këtë emër. Ndërmjetësi i marrëveshjes ishte Komisioni i Kufijve. Jugosllavia këtë propozim nuk e pranoi, sepse qyteti i Dibrës, që i mbetej Jugosllavisë, do të vetmohej krejt prej katundeve më të afërta të tij.

Mbas shumë bisedave midis Komisionit dhe dy delegatëve të interesuar, qeveria jugosllave më në fund si kompensim shkëmbimi pranonte që t'i cedonte Shqipërisë katundin Peshkopi nga ana e Pogradecit në rrëzën e Malit të Thatë dhe tokat e tri katundeve që si të tilla i mbeteshin Shqipërisë, por që tokat e tyre mbeteshin në Jugosllavi. Me cedimin e këtyre tokave Shqipërisë, kufiri jugosllav largohej nga rruga Korçë-Pogradec 13 km. Me një fjalë, Shqipëria cedonte një kishë dhe ballë saj merrte një katund dhe tokat e katundeve: Tushemisht, Podgoriçan dhe Halamja; përveç këtyre, kufiri jugosllav largohej nga rruga Korçë-Pogradec 13 km. Se, po të mos ishte bërë kjo marrëveshje, rruga Korçë-Pogradec ndodhej një nishan pushke me kufirin jugosllav[1].

Shkrimi grekobizantin në pjesën jugore te kapelës së varrit shkruan se ne kohën drejtuesit të manastirit (Hieromonachos) me emrin Stefan, më 13 qershor 1800 piktori Tërpo nga Korça përfundoi pikturimin e kapelës (Tërpo Zografi ka qenë biri i Konstandinit. Konstandini vetë ka qënë “ një mjeshtër prijës i dioqezës së Ohrit në mesin e shekullit 18).

Ikonat e fronit, ndoshta nga nga ikonat e festave të zonës së parë e të dytë të ikonostasit janë në piktori Konstandin nga Korça të vitit 1711 këte e dëshmon edhe firma e piktorit Konstandin në ikonat e erzengjëllit, mëma e zotit Eleusa, dhe Jezu Krishti.

  1. ^ a b Frashëri M., "Kujtime 1913-1933", Tiranë, fq. 202-205.