[go: up one dir, main page]

Jump to content

Folja

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Folje)

Folja është pjesë e ndryshueshme e ligjëratës që tregon një veprim apo një gjendje. Në gjuhën shqipe ajo ka kategori gramatikore të mënyrës, kohës, vetës dhe numrit. Foljet janë fjalë që tregojnë sendin se si vepron ose pëson diçka ose ndodhet në një gjendje të caktuar. Kur themi motra ose macja, e kuptojmë se është fjala për njerëz, kafshë dhe sende, po nuk dimë se çfarë bëjnë ose çfarë ndodh me ta. Por kur themi motra punon, mollët u poqën ose macja fle, atëherë prej fjalës punon mësojmë se motra po kryen një veprim (punon), prej fjalës u poqën mësojmë se mollët pësuan diçka (u poqën), prej fjalës fle mësojmë se macja ndodhet në një gjendje të caktuar (fle). Fjalët punon, u poqën, fle janë folje.

Foljet kalimtare dhe jokalimtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa folje përdoren herë si kalimtare, herë si jokalimtare. Për të gjetur se cilit grup i përkasin duhet parë se në ç'kuptim janë përdorur.

Foljet kalimtare quhen veprimi i të cilave i kalon një njeriu ose sendi tjetër, d.m.th. që pranojnë një kundrinor:

  • Beni çdo ditë luan me shokët

Foljet që pranojnë një kundrinor të drejtë janë folje kalimtare të drejta:

  • Lara çdo ditë ujit lulet.

Foljet që mund të marrin kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë janë kalimtare të zhdrejta:

  • Iliri i hipi kalit.

Ndodh që një folje të marrë njëkohësisht një kundrinor të drejtë dhe një kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, pra të jëtë njëkohësisht folje kalimtare e drejtë dhe e zhdrejtë:

  • Ia dhashë librin Lenës.
  • Ia afrova Jonës tufën e luleve.

Foljet jokalimtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Foljet jokalimtare janë ato që nuk pranojnë kundrinor: fle, eci, rri, qëndroj, dal etj.:

Foljet gjysmëndihmëse

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Foljet gjysmëndihmëse janë foljet qe përdoren me kuptimin leksikor të zbehtë. Ato nuk mund te kryejne te vetme punën e kallëzuesit të përbërë. Folje kalimtare:

  • Agroni ecte i shqetësuar.
  • Dje fjeta gjithë ditën.

Trajtat veprore dhe joveprore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Foljet kalimtare të drejta kanë dy trajta, trajtën veprore dhe trajtën joveprore:

  1. Trajta veprore: laj, fshij, thaj
  2. Trajta joveprore: lahem, fshihem, thahem
  • Veprore (laj, fshij, thaj), janë foljet që tregojnë se kryefjala po vepron (laj fytyrën, fshij dhomën, thaj rrobat)
  • Joveprore (lahem, fshihem, thahem), janë foljet që tregojnë se kryefjala pëson, d.m.th. i nënshtrohet veprimit të një tjetri (lahem nga dikush) ose tregon se kryefjala vepron dhe veprimi i tij kthehet po tek ai (lahem = laj vetveten).

Kohët themelore të foljes janë e tashmja, e shkuara dhe e ardhmja.

  • e tashmja. (Fryn erë dhe bie shi.)
  • e shkuara ka pesë nëndarje:
    • e pakryera. (Frynte erë dhe binte shi.)
    • e kryera e thjeshtë. (Fryvi erë dhe ra shi.)
    • e kryera. (Ka fryrë erë dhe ka rënë shi.)
    • më se e kryera. (Kishte fryrë erë dhe kishte rënë shi.)
    • e kryera e tejshkuar. (Pati fryrë erë dhe pati rënë shi.)
  • e ardhmja ka katër nëndarje:
    • e ardhmja e thjeshtë. (Do të fryjë erë dhe do të bie shi.)
    • e ardhmja e përparme. (Do të ketë fryrë erë dhe do të ketë rënë shi.)
    • e ardhmja e së shkuarës. (Do të frynte erë dhe do të binte shi.)
    • e ardhmja e përparme e së shkuarës. (Do të kishte fryrë erë dhe do të kishte rënë shi.)

Përveç përdorimeve themelore kohët kanë edhe përdorime të tjera më të veçanta. Kohët e foljeve janë: të thjeshta dhe të përbëra. Të thjeshta janë e tashmja, e pakryera, e kryera e thjeshtë dhe e ardhmja e thjeshtë. Ato formohen kryesisht me mbaresa që i shtohen foljes: mëso-j, mëso-n, mëso-j-a, mëso-je, mëso-v-a, mëso-v-e. Kohët e përbëra janë:

  • e kryera (kam mësuar),
  • më se e kryera (kisha mësuar),
  • e kryera e tejshkuar (pata mësuar),
  • e ardhmja e përparme (do të kem mësuar),
  • e ardhmja e përparme e së shkuarës (do të kisha mësuar),

Këto formohen me ndihmën e foljeve ndihmëse.

Mënyrat e foljeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kuptimi i asaj që shprehet nga folja mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme:

  • si diçka e përfunduar: Ne punuam.
  • si diçka e dëshirueshme: E punofsh gëzuar kompjuterin e ri!
  • si urdhër: Punoni!
  • si habi: Punuakan!

Trajtat e ndryshme që merr folja për të shprehur pikërisht këta kuptime quhen mënyra. Në gjuhën shqipe folja ka gjashtë mënyra:

Mënyra dëftore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të vërtetë, qoftë ky pohim, mohim ose pyetje:

  • Ai ka të drejtë.
  • Ai nuk ka të drejtë.
  • A ka ai të drejtë?

Mënyra lidhore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka që dëshirojmë ose presim të ndodhë:

  • Të ketë të drejtë.

Mënyra kushtore e paraqet kuptimin e shprehur të foljes si diçka të mundshme që varet (kushtëzohet) nga një veprim tjetër:

  • Ai do të kishte të drejtë. - e tashme
  • Ai do të kishte pasur të drejtë. - më se e kryer

Mënyra habitore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes si diçka të papritur që shkakton habi. Ajo ka katër kohë: e tashme, e pakryer, e kryer dhe më se e kryer:

  • Ai paska të drejtë!- e tashme
  • Ai paskësh të drejtë! - e pakryer
  • Ai paska pasur të drejtë! - e kryer
  • Ai paskësh pasur të drejtë! - më se e kryer

Mënyra dëshirore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urimi ose mallkimi:

  • Ai paç të drejtë! - e tashme
  • Ai paç pasur të drejtë! - e kryer

Mënyra urdhërore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes në formë urdhëri, kërkese ose këshille:

  • Ki të drejtë. - e tashme, veta e dytë, njëjës
  • Kini të drejtë. - e tashme, veta e dytë, shumës

Dëftorja, lidhorja, kushtorja, habitorja, dëshirorja dhe urdhërorja kanë trajta të veçanta për kohë dhe për veta të ndryshme të çdo numri. Veç këtyre mënyrave ka edhe trajta foljore të pashtjelluara të cilat nuk kanë as kohë as vetë as numër. Trajtat e pashtjelluara të foljes janë: pjesorja, paskajorja, përcjellorja dhe mohorja:

  • pjesorja: punuar, mësuar, marrë, etj.;
  • paskajorja: për të punuar, për të mësuar, për të marrë, etj.;
  • përcjellorja: duke punuar, duke mësuar, duke marrë, etj.;
  • mohorja: pa punuar, pa mësuar, pa marrë, etj..

Në këto trajta, ajo që shprehet nga folja nuk mund të paraqitet prej folësit në mënyra të ndryshme, prandaj ato nuk merren si mënyra.

Vetat dhe numrat e foljeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vetat e foljes quhet trajta foljore që tregon se kush e kryen veprimin e caktuar. Numër i foljes quhet trajta foljore që tregon se veprimi kryhet nga një ose më shumë qënie apo sende. Folja ka dy numra, njëjësin dhe shumësin:

  • Veta I njëjës: unë punoj
  • Veta II njëjës: ti punon
  • Veta III njëjës: ai\ajo punon
  • Veta I shumës: ne punojmë .
  • Veta II shumës: ju punoni.
  • Veta III shumës: ata\ato punojnë.

Rëndësia e foljes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Folja është mjaft e rëndësishme, së pari tregon veprimin ose veprueshmërinë e kryefjalës. Pa folje, fjalia nuk do të kishte qenë.