Besa besë
Appearance
Besa besë Autori: Andon Z. Çajupi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 76.
Gjithë vendetë gëzojnë,
ti Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s'rron;
Ti shqiptar, Shqipërinë,
në zgjedhë si e duron?
Zgjohuni, o shqiptarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!
Të krishter' e myslimanë,
të tërë një sua kemi,
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqiptarë jemi.
Mblidhuni të bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë...
Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë,
Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbesë!