valle
Appearance
VALLE pj.
- Përdoret zakonisht në fjalitë pyetëse për të shprehur dyshim, mosbesim a pasiguri. Vallë vjen sot ai? Vallë i pëlqente asaj? Mos vallë shkuan atje? Të jetë vallë e vërtetë? Ç'të ketë ndodhur vallë? Përse e thirrën vallë? Vallë e di! ndoshta nuk e di, mund të mos e dijë.
VALLE f.
- 1. Varg lëvizjesh të caktuara të trupit e të gjymtyrëve, që bën një njeri zakonisht i zënë dorë për dore me të tjerë e duke kërcyer rreth e përqark sipas ritmit të muzikës shoqëruese; lloj kërcimi, gjatë të cilit bëhen lëvizje të rregullta të trupit e të gjymtyrëve dhe krijohen figura të ndryshme; muzika a kënga që shoqëron këtë lloj kërcimi; vargu i valltarëve. Valle e lehtë (e rëndë). Valle dyshe. Valle klasike. Valle popullore. Valle shqiptare (arbëreshe ). Valle partizane. Valle e përpunuar. Valle burrash (grash). Valle të punës. Vallja e brezave. Suitë vallesh. Ritmi i valles. Heqësi i valles. Grupi i valleve. Ansambli i këngëve dhe i valleve. Kërcej (luaj, hedh, heq) një valle. Ia merr valles. Nisi një valle. E dredh vallen. U këput vallja. Hyj në valle. Sillet vallja rrotull-o. kr. pop.
- 2. Pjesë a vepër muzikore me ritëm, me masë e me kohë për të tilla lëvizje e për këtë lloj kërcimi. Valle simfonike.
- 3. Një grup a një rreth njerëzish, që rrinë e bisedojnë së bashku në një vend; numër i madh njerëzish a sendesh; pjesë e diçkaje, që zë aq vend sa mund të kërcesh. Valle burrash. Një valle me gra. Ka një valle fëmijë. Një valle vend. Bëri valle mblodhi një grup njerëzish në një vend.
- 4. fig. Punë a ndërmarrje, që kërkon mundim për t'u kryer; punë e vështirë; kokëçarje. Hodhi (hoqi) një valle i hyri një pune me telashe. Hyri (u fut) në valle. Ia hyri valles. Nuk ia hyj asaj valleje. E futi (e shtiu, e vuri) në valle dikë.
- Mos e hap vallen shumë! mos e kalo masën e shpenzimeve, mos e tepro! E kanë lënë jashtë valles nuk e kanë ftuar të marrë pjesë në një punë, në një festë, në një trashëgim etj.; e kanë përjashtuar nga rrethi. Rri (është) jashtë valles nuk merr pjesë në një punë e nuk përgjigjet për të. Shkon pas valles së dikujt keq. Bën siç thotë dikush tjetër, i plotëson dëshirat e kërkesat, i shkon sipas avazit. E bëri të hedhë (të luajë) valle në tepsi shih tek TEPSI, ~A. Hedh këmbën sipas valles vepron sipas kushteve dhe mjedisit ku është, i hedh këmbët sipas avazit. Hedh vallen siç bie daullja (sipas daulles, siç bie lodra) keq. shih te DAULL/E, ~JA. Po hyre në valle, duhet të kërcesh fj. u. kur e fillon një punë, duhet ta shpiesh deri në fund. Lodra bie për tjetër valle është fjala për diçka tjetër; kanë ndryshuar punët. Nisën vallet kur pushuan daullet u krye me vonesë diçka, nuk u bë në kohën e duhur, erdhi si kofini pas të vjelave. Ku i bie daulles unë e ku e hedh vallen ti shih te DAULL/E,~JA. Disa jashtë valles dinë shumë këngë fj.u. kur nuk punon vetë e s'ke ndonjë barrë a përgjegjësi mbi supe, është lehtë t'u japësh mend të tjerëve.